Një aksident i dytë ka ndodhur në Rrugën e Kombit, ku janë përfshirë 13 kamionë dhe vetura të vogla. Siç shihet dhe nga pamjet e publikuara, rruga i ngjan një “bilanci lufte” me mjete të shkatërruara plotësisht e të tjera të kthyera në krahun e kundërt.
Më herët, newsbomb.al ka ndarë pamjet nga një aksident zinxhir i 6-fishtë, ku ishte përfshirë një trailer me rimorkio dhe 5 makina, në gjatësinë e këtij aksi por në afërsi të fshatit Blinisht.
Shkak paraprak dyshohet se janë bërë ngrica dhe mjegulla e dendur që ka vështirësuar shikimin e rrugës nga drejtuesit. Shërbimet e Policisë Rrugore dhe ato të Emergjencave kanë mbërritur në vendngjarje dhe deri tani nuk raportohet për të lënduar rëndë.
Në këto ditë me temperatura të ulëta dhe reshje shiu e dëbore, të gjithë drejtuesit e mjeteve duhet të qarkullojnë me kujdes të shtuar, për të shmangur aksidentet apo ngjarjet e tjera në rrugë, që mund të përbëjnë rrezik për ta dhe pasagjerët.
Nga aksidenti i dytë që ka ndodhur përgjatë Rrugës së Kombit, i cili ka shkaktuar për pasojë dëme të konsiderueshme materiale dhe bllokim të rrugës për më shumë se një orë. Radha e mjeteve në drejtim të Kukësit ka qenë disa kilometra.
Aktualisht, Rruga e Kombit është e hapur në të gjithë gjatësinë e saj dhe qarkullimi vazhdon pa probleme.