Kryetarja e partisë “Lëvizja për Ndryshim” Jozefina Topalli, thekson se partia e saj nuk ka të ardhura për të bërë sondazhe gjatë fushatës elektorale, sikurse bëjnë dy partitë e mëdha.
“Pakënaqësia ndaj tre kryetarëve si votë proteste kundër tyre do të maksimizohet në alternativat që forca “Lëvizja për Ndryshim” apo edhe ndonjë forcë tjetër politike ka shpallur gjatë kësaj periudhe.
Ne nuk kemi lekë për të bërë sondazhe siç bëjnë ato, por duke parë sondazhet pavarësisht se kush i bën e majta apo e djathta, shohim që ka një përqindje si asnjëherë tjetër shumë të lartë të popullsisë që janë shumë të pakënaqur nga Edi Rama por që kanë një mosbesim absolut ndaj Lulzim Bashës dhe ato janë të vendosur që të mos votojnë as për Kryeministrin as për opozitën e marrë peng”- u shpreh Topalli.
Topalli shtoi për Euronews se në këto zgjedhje forca e saj u drejtohet qytetarëve të cilët janë të pakënaqur nga forcat politike në këto 30 vjet, ndërsa shton se janë në një betejë të vazhdueshme kundër korrupsionit dhe për të ndërtuar një shtet të së drejtës.
“Sigurisht që ne u drejtohemi njerëzve të pakënaqur, atyre që refuzojnë korrupsioni dhe beteja jonë është të fitojmë mbi korrupsionin për të ndërtuar një shtet me një drejtësi më të madhe sociale me punë më shumë dhe me shpresë më të madhe”– theksoi kryetarja e partisë “Lëvizja për Ndryshim”.