Ndotja e ajrit, gjysma e qyteteve evropiane të pushtuara nga ajri i ndotur – Stop
Bota, Të Gjitha

Ndotja e ajrit, gjysma e qyteteve evropiane të pushtuara nga ajri i ndotur

Më shumë se gjysma e qyteteve evropiane janë ende të pushtuara nga ajri i ndotur, të paktën këtë vërtetojnë të dhënat e fundit, pavarësisht se gjatë karantinës së kaluar u vu re një reduktim i emetimeve të trafikut dhe ndotësve të tjerë.

Qytetet në Evropën Lindore, ku qymyri është ende një burim kryesor i energjisë, renditen ndër qytetet me nivelet më negative, konkretisht qyteti, Nowy Sacz, në Poloni që ka ajrin më të ndotur, pasuar nga Kremona, në Itali ku industria dhe gjeografia kanë tendencë të përkeqësojnë ndotjen e ajrit dhe Slavonski Brod, në Kroaci.

Tre qytetet më të pastra vlerësohen Umea, në Suedi, Tampere, në Finlandë dhe Funchal, në Portugali.

“Grimcat e imëta janë një ndotës kryesor i ajrit, çka sjell mbi 400 mijë vdekje të parakohshme në vit në Evropë, dhe është e lidhur me sëmundje serioze, përfshirë sëmundjet e zemrës dhe mushkërive, dy nga shkaqet kryesore të vdekjeve në Evropë. Nëse jetoni në një qytet me ajër të ndotur, kjo dëmton shëndetin tuaj dhe dëmton shëndetin e fëmijëve tuaj”, u shpreh Catherine Ganzleben, nga Agjencia Evropiane e Mjedisit.

Agjencia Evropiane e Mjedisit sqaroi se masat anti-COVID kishin çuar në ulje të mëdha të niveleve të dioksidit të azotit, i cili ra me më shumë se 60% në disa qytete, por që nivelet e grimcave kishin qëndruar të larta. Kjo për shkak se kishte shumë më tepër burime të grimcave sesa trafiku rrugor, duke përfshirë djegien e karburantit për ngrohje.

“Ajo që duhet të bëjmë është të ndalojmë investimin e parave në industrinë e karburanteve fosile, dhe ne duhet të përqendrohemi në emetimet nga bujqësia, duhet të shohim në sistemet tona të transportit dhe së fundmi, kur bëhet fjalë për prodhimin e energjisë, ne duhet të largohemi nga karburantet fosile”, shtoi Ganzleben.

Ganzleben i sheh fondet evropiane të rimëkëmbjes prej 1.8 trilionë euro si “një mundësi për të ndryshuar sistemet dhe për t’i pastruar ato”.

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *