Ndërtuan pa leje në zonën e llixhave, arrestohet ish-kryeinspektori në Elbasan

Ish-kryeinspektori i Inspektoriatit vendor të Elbasanit dhe një person tjetër janë arrestuar nga policia pasi janë konstatuar duke ndërtuar një objekt pa leje në zonën e llixhave në Tregan të Elbasanit.

Burime policore bëjnë me dije se në kuadër të operacionit të koduar “Llixha” në pranga ka rënë ish-kryeinspektori Mark Qosja, banues në Elbasan, dhe shtetasi me inicialet N. K., 50 vjeç, banues në Elbasan, i cili ndërtonte pa leje një objekt prej 1200 metër katror në zonën e llixhave.

Gjithashtu u procedua penalisht shtetasi me inicialet A. Z., 34 vjeç, banues në Elbasan, me detyrë inspektor në Inspektoratin Vendor të Mbrojtjes të Territorit, bashkia Elbasan.

Nga hetimet e kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik–Financiar në DVP Elbasan, në lidhje me një ndërtim pa leje në sipërfaqe të madhe ndërtimore në zonën e llixhave, Njësia Administrative Tregan, Elbasan, është dyshuar për korrupsion nga punonjësit e institucioneve shtetërore, kryesisht të Inspektorateve të Mbrojtjes së Territorit që mbulojnë qarkun Elbasan.

Në vijim të veprimeve hetimore në lidhje me këtë rast ka rezultuar se në muajin janar dhe shkurt 2021 të jetë bërë ndërtim pa leje me sipërfaqe 1200 m katror, në dy kate, nga shtetasi N. K., në vendin e quajtur “Llixha”, dhe në vijim të jetë aplikuar për legalizim tek AKSH.

Po nga hetimet dyshohet se me veprimet apo mosveprimet e tyre, Mark Qosja dhe A. Z., të kenë favorizuar këtë shtetas për të kryer ndërtimin pa leje. Vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.

Materialet i kalojnë për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Ndërtim i paligjshëm”.

Të Fundit