Policia e Tiranë ka arrestuar këtë të premte një 57-vjeçar, pasi në një hapësirë të përbashkët publike, në tarracë, kishte ndërtuar një objekt pa leje.
Sipas raportimeve të policisë, në pranga ka rënë S. S., 57 vjeç, i cili në tarracën e kompleksit të pallatit kishte ndërtuar një banesë duke zënë të gjithë hapësirën e përbashkët të banorëve të tjerë.
“Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve të ndërtimeve pa leje, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, bazuar në informacionet e marra se një shtetas kishte ndërtuar, pa leje, në rrugën “Frederik Shiroka”, kanë ushtruar kontroll në zonë.
Nga kontrollet u konstatua se shtetasi S. S., kishte ndërtuar pa leje, një objekt (banesë) në taracën e një kompleksi pallati.
Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 u arrestua në flagrancë shtetasi S. S., 57 vjeç, banues në Tiranë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”.



