Është dorëzuar në komisariatin e Sarandës, ish-drejtori i Agjencisë së Legalizimeve Mariel Murati, i cili ndërtoi pa leje dhe legalizoi hotelin 7 katesh mbi portin e Sarandës.
Mariel Murati u shpall në kërkim për një hotel disa katesh në Sarandë i cili u ndërtua pa leje dhe më pas u legalizua dhe u hipotekua në shkelje të ligjit.
Është pikërisht ky hotel që çoi pas hekurave zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, Legalizimeve, Kadastrës.
Pas një hetimi disa mujor, Prokuroria e Sarandës firmosi më 14 mars 11 urdhër-arreste, ku 8 persona u arrestuan dhe tre të tjerë u shpallën në kërkim.
Mes të kërkuarve ishte edhe Murati, pronar i hotelit e njëkohësisht ish-Drejtor i Legalizimeve në Sarandë, aktualisht drejtor i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
Po kështu në kërkim janë dy ish-drejtorët e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Sarandë Kozeta Statha dhe Andri Dhima.
Mariel Murati në vitin 2020 kishte marrë leje për rikonstruksionin e një objekti ekzistues, por e kishte rrënuar të gjithin duke ndërtuar pa leje nga fillimi një hotel me 7 kate.
Ish-drejtori ka arritur ta legalizojë hotelin dhe e ka vënë në funksion në vitin 2022.
Të gjitha këto veprime janë kryer pasi Murati e kishte lënë detyrën e drejtuesit të ALUIZNI-IT Sarandë dhe kishte marrë drejtimin e Fondit të Sigurimit të Shëndetësor.
Ky hotel ka qenë dy herë objekt i vendosjes së sasive të eksplozivit, përkatësisht në 9 shkurt 2021 dhe 29 qershor 2022, ngjarje ende të pazbardhura.