Nafta mbi 2 mijë lekë për litër, shqiptarët përballen me një tjetër rritje çmimi

Nafta në Shqipëri po tregtohet aktualisht me 206 lekë për litër (22 korrik), duke u rikthyer në nivelet e regjistruara gjatë periudhës më të vështirë të krizës energjetike, kur pasiguria në Ngushticën e Hormuzit ndikoi fort tregjet ndërkombëtare. Rritja e fundit lidhet drejtpërdrejt me përshkallëzimin e konfliktit mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, por në Shqipëri efekti ndihet edhe më shumë për shkak të barrës së lartë fiskale dhe të ardhurave relativisht të ulëta të familjeve.

Pas shfuqizimit të Bordit të Transparencës më 19 qershor, çmimi i naftës ra deri në 176 lekë për litër. Megjithatë, kjo situatë zgjati pak. Me rikthimin e tensioneve në Lindjen e Mesme, çmimi u rrit në 196 lekë më 20 korrik dhe arriti në 206 lekë për litër më 22 korrik.

Në vlerë nominale, Shqipëria renditet ndër vendet me naftën më të shtrenjtë në Europë dhe mban çmimin më të lartë në Ballkanin Perëndimor. Por problemi bëhet edhe më i madh kur ky çmim krahasohet me pagat dhe fuqinë blerëse. Një litër naftë përbën një barrë shumë më të rëndë për një familje shqiptare sesa për një familje në vendet me të ardhura më të larta, edhe kur çmimi në pompë është i ngjashëm.

Pse rritja e çmimit ndihet më fort në Shqipëri?

Çmimi ndërkombëtar i naftës është vetëm një pjesë e kostos që paguan konsumatori shqiptar. Mbi vlerën e importit aplikohen akciza, taksa e qarkullimit, taksa e karbonit dhe TVSH-ja. Përveç tyre, çmimi përfshin edhe tarifa e kosto të tjera që lidhen me markimin, skanimin, kontrollin e instrumenteve matëse dhe funksionimin e tregut.

Taksa e qarkullimit është 27 lekë për litër, ndërsa taksa e karbonit për gazoilin arrin në 3 lekë për litër. Akciza përbën një tjetër element të rëndësishëm të çmimit, ndërsa TVSH-ja prej 20% llogaritet mbi një bazë që përfshin edhe këto detyrime. Në praktikë, kjo do të thotë se TVSH-ja paguhet jo vetëm mbi vlerën e produktit, por edhe mbi një pjesë të taksave të tjera.

Ndikimi i rritjes së çmimit nuk kufizohet vetëm te drejtuesit e automjeteve. Nafta është një kosto bazë për transportin e mallrave dhe udhëtarëve, bujqësinë, ndërtimin dhe një pjesë të madhe të industrisë. Për pasojë, rritja e saj reflektohet gradualisht edhe te çmimet e produkteve dhe shërbimeve të tjera.

Në këtë mënyrë, rritja e çmimit të karburantit vepron si një barrë shtesë për të gjithë ekonominë: familjet humbasin fuqi blerëse, ndërsa bizneset përballen me kosto më të larta operimi.

Rreth 70% e mjeteve në Shqipëri përdorin naftë

Ekspozimi i vendit ndaj luhatjeve të çmimit të naftës është i lartë edhe për shkak të strukturës së parkut të automjeteve. Sipas të dhënave të DPSHTRR-së, deri në fund të shkurtit në Shqipëri rezultonin rreth 1.06 milion mjete aktive.

Prej tyre, rreth 732 mijë, ose afro 70%, funksionojnë me naftë. Rreth 210 mijë përdorin benzinë, ndërsa afërsisht 84 mijë janë të pajisura me impiant gazi.

Automjetet elektrike, edhe pse në rritje, përbëjnë vetëm rreth 1.3% të flotës, me rreth 15 mijë mjete, ndërsa në qarkullim janë edhe afro 8 mijë automjete hibride.

Këto të dhëna tregojnë se shumica e familjeve dhe bizneseve shqiptare nuk kanë ende një alternativë të menjëhershme ndaj naftës.

Çmime që afrohen me Europën, por jo edhe pagat

Situata e naftës është pjesë e një fenomeni më të gjerë: Shqipëria po afrohet me Bashkimin Europian më shpejt për sa i përket nivelit të çmimeve sesa të ardhurave.

Sipas Eurostat, niveli i çmimeve të konsumit familjar në Shqipëri ishte rreth 48.3% e mesatares së BE-së në vitin 2015, ndërsa në vitin 2024 arriti në rreth 70.6%. Për disa kategori, si ushqimet dhe pijet joalkoolike, çmimet janë afruar ose edhe kanë tejkaluar mesataren europiane.

Nga ana tjetër, paga mesatare mujore bruto në Shqipëri ishte 90,119 lekë në tremujorin e parë të vitit 2026, sipas të dhënave më të fundit të INSTAT. Kjo është paga bruto dhe jo shuma që punonjësi merr realisht në dorë.

Me çmimin aktual prej 206 lekësh për litër, një pagë mesatare bruto korrespondon teorikisht me rreth 437 litra naftë. Në praktikë, kjo fuqi blerëse është dukshëm më e ulët, pasi nga paga zbriten kontributet dhe tatimet, ndërsa familjet duhet të mbulojnë edhe shpenzimet për ushqimin, strehimin, energjinë, arsimin dhe nevojat e tjera të përditshme.

Për punonjësit me pagë minimale, pensionistët apo familjet që mbështeten vetëm në një të ardhur, pesha e këtij çmimi është edhe më e rëndë.

Pikërisht për këtë arsye, krahasimi i çmimit të naftës vetëm në euro për litër nuk tregon realitetin. Dy vende mund të kenë të njëjtin çmim në pompë, por ndikimi ekonomik dhe social është krejtësisht i ndryshëm kur pagat dhe fuqia blerëse ndryshojnë ndjeshëm.

Të Fundit