Myftiu i Shkodrës: Të futet edukata fetare si lëndë në shkolla, të mësojmë për Zotin

Në një intervistë për media, Myftiu i Shkodrës, Muhamed Sytari, gjatë bisedës me gazetaren Greta Topjana, foli në lidhje me ngjarjet kriminale që kanë tronditur qytetin në ditët e fundit.

Në këtë kontekst, Myftiu hodhi një propozim të rëndësishëm për të reflektuar mbi rolin e fesë dhe edukimit shpirtëror në shoqëri duke shprehur idenë për futjen e një lënde të edukatës fetare në shkolla, e cila do t’u mësojë fëmijëve për ekzistencën e Zotit.

Myftiu Sytari theksoi se kthimi drejt Zotit dhe edukimi mbi besimin janë thelbësorë për të ndalur degradimin moral që, sipas tij, sjell pasoja të drejtpërdrejta në shoqëri.

Ai theksoi se bashkë me përfaqësues të besimeve të tjera fetare, kanë ngritur zërin prej vitesh për përfshirjen e një lënde mbi edukatën fetare në shkolla, me qëllim që fëmijët të mësohen me koncepte themelore si ekzistenca e Zotit dhe përgjegjësia shpirtërore.

“Prej vitesh kemi ngritur zërin, bashkë me fetë e tjera, pranë autoriteteve të vendit, që lënda e edukatës fetare, e mësimit të besimit, të jetë pjesë e kurrikulave të arsimit. T’u mësohet fëmijëve që ka Zot. Thirrja ime dhe mesazhi im është që njerëzit të kthehen nga Zoti” – u shpreh ai.

Duke respektuar karakterin laik të sistemit arsimor, Myftiu theksoi se fetë nuk janë në kundërshtim me dijen dhe shkencën, përkundrazi – ato e nderojnë dijen si një dhuratë hyjnore.

“Ne e respektojmë shkollën si laike, të gjithë e kemi bërë atë. Por dijen e kemi të shenjtë. Këtë dije na e ka shenjtaruar Ai Zot që ne nuk kemi kurajon ta lejojmë të hyjë në shkollat tona. Ai Zot na e ka dhënë jetën, Ai Zot e ka shenjtëruar dijen.”

Në fund të intervistës, mesazhi i Myftiut ishte i qartë: Kthimi tek Zoti dhe edukimi shpirtëror janë rrugë të domosdoshme për një shoqëri të shëndetshme dhe të sigurt.

Të Fundit