“Mungon analiza e pasojave”, Meta kthen në Kuvend ligjin ‘për të huajt’

Presidenti Meta kthen për rishqyrtim në Kuvend ligjin për të huajt. Në arsyet e kthimit të ligjit Meta shkruan se Shqipëria rrezikon të përballet me një fluks të lartë të kërkesave të detyrueshme për pranim nga shtetas të ndryshëm të vendeve të treta, edhe përtej fushës së rregullimit të këtij ligji, përtej mundësive, kapaciteteve që Shqipëria ka, apo mund të ofrojë, dhe mund të përballojë.

Më tej ai sqaron se masa pranimi kaq gjerësisht të shtetasve të huaj, përmes kritereve të lehtësuara, mund të ndërmerren vetëm pasi të analizohen pasojat e një politikë të tillë shtetërore, ndërsa sipas tij, Qeveria po përmbush vetëm një qëllim parësor dhe afatshkurtër, plotësimin e boshllëqeve që po krijon largimi masiv i shtetasve shqiptarë me shtetas të huaj, duke u fokusuar më shumë tek fuqia punëtore.

Meta e ka cilësuar shpopullimin si drama më e madhe, që po i ndodh vendit dhe se largimi i trurit, i forcave të reja dhe më krijuese, është një plagë e madhe për vendin, që duhet ndalur sa më parë.

ARSYET E KTHIMIT
TË LIGJIT NR. 79/2021 “PËR TË HUAJT”

Në seancën plenare të datës 24 qershor 2021, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ligjin nr. 79/2020 “Për të huajt”, ligj ky i cili është përcjellë për shpallje pranë Presidentit të Republikës përmes shkresës me nr. prot. 1525, datë 5.7.2021, të Kuvendit të Shqipërisë.

Kjo nismë rezulton të jetë depozituar në Kuvend në datën 11.2.2021, nga Këshilli i Ministrave.

Para së gjithash, Presidenti i Republikës, vlerëson pozitive çdo nismë ligjvënëse që synon të transpozojë Direktivat e Bashkimit Europian në një fushë të caktuar, por nga ana tjetër çmon se ndryshimet e rëndësishme të legjislacionit që trajton çështje kaq delikate dhe me impakt të gjerë për shoqërinë dhe kombin shqiptar, duhet të realizohen vetëm:
– pas një analize të thelluar dhe objektive të të gjithë problematikave që kërkojnë adresim e zgjidhje të njëkohëshme përmes ligjit;
– sipas një politike të qartë dhe afatgjatë shtetërore;
– përmes një procesi sa më gjithëpërfshirës për të tërhequr një konsensus sa më të gjerë;
– në mënyrë të tillë që zgjidhjet dhe alternativat që do të duhet të ofrojë ligji i ri, të jenë në përputhje me vlerat universale, të garantojnë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, të ofrojnë qëndrueshmëri në kohë, dhe mbrojtje sa më të mirë të interesave të shtetit dhe të shtetasve të Republikës së Shqipërisë, që të sigurojnë prosperitetin e të gjithë kombit, kulturën dhe solidaritetin shoqëror, vlera këto të cilat i mishëron më së miri Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë që në Preambulën e saj.

Ligji nr. 79/2020 “Për të huajt”, edhe pse hyn në llojin e atyre akteve ligjore që mund të miratohen nga Kuvendi i Shqipërisë përmes një shumice të thjeshtë, për nga objekti i marrëdhënieve juridiko- shoqërore që rregullon, krijon një impakt afatgjatë për zhvillimet ekonomiko-shoqërore në vend.

Pikërisht për këtë arsye, nisma të tilla legjislative që formalizojnë qëndrimet politike të Këshillit të Ministrave, duhet të shqyrtohen e miratohen nga Kuvendi i Shqipërisë përmes një procesi sa më të gjerë konsultimi midis shumicës qeverisëse, opozitës, shoqërisë civile dhe organizatave ndërkombëtare, duke vënë në jetë përfaqësimin real të vullnetit të popullit në organin ligjvënës, ku deputetët e zgjedhur prej tyre të shprehin mendimin më të shëndoshë, se çfarë qëndrimi do të duhet të mbahet lidhur me këto çështje dhe cili do të ishte trajtimi më i mirë, propocional dhe i pranueshëm i Republikës së Shqipërisë nga këndvështrimi i marrëdhënieve ndërkombëtare lidhur me këto çështje. Kjo në mënyrë që çdo hap që hidhet, të garantojë zgjidhje afatgjatë dhe të përshtatshme në përputhje me realitetin e zhvillimeve ekonomiko- shoqërore të vendit.

Të Fundit