Momenti kur Toka fshihet pas Hënës, video e rrallë e filmuar nga telefoni i astronautit të NASA-s

Gjatë misionit të tyre 10-ditor në anën e paparë më parë të Hënës, ekuipazhi i Artemis II arriti diçka që asnjë njeri nuk e kishte bërë në 54 vjet. Ekuipazhi theu rekordin për udhëtimin më të gjatë të bërë nga njeriu rreth Hënës dhe kthim.

Gjatë fluturimit shtatëorësh pranë Hënës, ekuipazhi dëshmoi disa momente që është e vështirë të përshkruhen me fjalë, duke përfshirë një eklips total diellor dhe një “Perëndim të Tokës”, siç e quajtën ata – ekuivalenti i një perëndimi dielli nga hapësira.

Komandanti i misionit, Reid Wiseman, ka publikuar një nga videot më mbresëlënëse të këtij misioni. Astronauti 50-vjeçar ka filmuar Tokën duke u zhdukur gradualisht pas Hënës duke përdorur iPhone 17 Pro Max, pajisje që iu dha secilit anëtar të ekuipazhit.

Wiseman e përshkroi përvojën si një “mundësi që ndodh vetëm një herë në jetë” dhe shkroi në Twitter: “Si të shikoja perëndimin e diellit në plazh nga pika më e largët e universit, nuk munda t’i rezistoja bërjes së një videoje me telefonin tim. Mund të dëgjoni shkrehësin e Nikon ndërsa Christina Koch vazhdon të shkrepë dhe të kapë këto foto të jashtëzakonshme të Tokës përmes lentes së saj 400 mm. Victor Glover ishte në dritaren 3 duke parë me Jeremy Hansen pranë tij.”

Në një koment në postim, komandanti i Artemis II shtoi gjithashtu: “Mezi mund ta shihja Hënën përmes dritares së portit të ankorimit, por iPhone ishte madhësia perfekte për të kapur pamjen. Kjo pamje është e papërpunuar, e pamodifikuar dhe me zmadhim 8x, që është mjaft e krahasueshme me syrin e njeriut. Shijojeni.”

Misioni Artemis II u nis më 1 prill 2026 për një udhëtim dhjetëditor drejt Hënës dhe kthim. Më 6 prill, ekuipazhi përfundoi një fluturim 7-orësh rreth Hënës, përpara se të kthehej në Tokë më 10 prill, një moment që u ndoq në internet nga miliona njerëz në të gjithë botën.

Të Fundit