“Mjeti i mbushur me birra” -Ekspertiza e aksidentit në Poliçan: 15-vjeçari i dehur

Një aksident tragjik ndodhi në Poliçan mbrëmjen e së mërkurës, ku një adoleshent gjeti vdekjen dhe 3 të tjerë u plagosën. Shoferi ishte një 15-vjeçar, i cili sipas ekspertizës që ka dalë këtë të premte ka rezultuar i dehur.

Policia bën me dije se automjeti tip Alfa Romeo, që drejtohej nga 15-vjeçari F. Zylyftari, pasi ka humbur kontrollin ka rrëshqitur fillimisht në asfaltin e rrugës së sipërme të fshatit, më pas ka rënë fillimisht në asfaltin e rrugës së poshtme të fshatit dhe ka përfunduar në oborrin e një banese të zonës.

Sipas policisë, në zonë nuk ka pasur shenja frenimi gjë që të çon në rezultatin se adoleshenti nuk ka mundur të frenojë dhe për shkak të shpejtësisë që ka marrë mjeti gjatë rrëshqitjes, ndërsa përplasja ka qenë e fortë.

Të njëjtat burime konfirmojnë se automjeti tip Alfa Romeo me të cilin po udhëtonin adoleshentët ishte i tejmbushur me shishe birre të boshatisura dhe nga analizat e kryera ka rezultuar së të katërt adoleshentët ishin të dehur.

Ngjarja e rëndë ndodhi në rrugën rurale të fshatit Plirëz në qytetin e Poliçanit rreth orës 21:30.

Si pasojë e aksidentit ka vdekur në vendngjarje, vëllai i drejtuesit të mjetit, A. Zylyftari 17-vjeç, ndërkohë që është plagosur F. Zylyftari dhe dy shoqet qe tyre që ndodheshin me ta në makinë, njëra 14 vjeç dhe tjetra 16 vjeçe.

Burime nga Spitali Rajonal Berat bëjnë me dije se njëra nga vajzat u transportua  drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku ju nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale në kokë dhe ndodhet në gjendje të rëndë, ndërkohë që F. Zylyftari dhe 16-vjeçarja u larguan në orët e para të mëngjesit drejt banesave të tyre pas mjekimit që morën në Spitalin e Beratit.

Të Fundit