“Mjaft me dokrra”, Rama-opozitës: Tërmetit qëndrojini larg se bëheni qesharak

Kryeministri Edi Rama teksa ka marrë fjalën në Kuvend i ka kthyer përgjigje deputeti Ferdinand Xhaferraj në lidhje me dëmet nga tërmeti i 26 nëntorit dhe procesin e rindërtimit.

Nga foltorja, Rama u shpreh se deri në datën 26 nëntor, numri i familjeve që do të futen në shtëpi të re do të vazhdojë të rritet. Ai ftoi Xhaferrajn të jetë prezent në dorëzimin e këtyre banesave nga Durrësi në Laç dhe Tiranë.

Çdo njeri ka të drejtën të gabojë. Të gabosh është njerëzore, të këmbëngulësh në gabim është çnjerëzore. Ka ndodhur diçka që ka tronditur të gjithë botën, pandemia. Kanë qenë muaj të tërë kur kantierët janë bllokuar dhe afatet do të shtyheshin. Ajo që më shqetëson më shumë nuk është ky aspekt. Mbi çfarë baze i ngrini të gjithë këto akuza dhe flisni për babëzi dhe makutëri. Shkollat kanë standarde dhe kritere. Preventiva.

Shkollat janë të zhvilluara si proces ndërtimi me gara. Garat kanë dosje. Mbi gjithë këto fakte mund të bëhen hulumtime dhe mund të nxirren konkluzione profesionale dhe jo si mjek popullor apo si akrobat popullor cirku. Është e shëmtuar që kjo të përbaltet në këtë farë feje pa asnjë lloj fakti. Shkollat janë aty. Ne nuk matemi me ju sepse nuk mund të matet cilësia e diellit me errësirën. Me shumë vëmendje do ta mirëprisnim çdo lloj fakti dhe argumenti. Jo dokrra dhe të shara prej të dehuri në klub.

Numri i familjeve që sot kanë shtëpi është i madh dhe do të rritet në javën e fundit. Ju ftoj ju zoti Xhaferri të na bashkoheni në hapjen e dyerve të shtëpive deri në datën 26 nëntor ku ju do shikoni me sytë tuaja se si në Ishëm dhe jo shumë larg Durrësit ku është edhe Thumana, Laçi, Bubqi. Mund të vini me ne edhe në Lezhë. Tiranën ja ku e keni shkojmë bashkë edhe te 5 Maj këtu afër. Ka shumë gjëra për të cilat mund të ngrini pretendime por kësaj të tërmetit duhet t’i rrini larg. Është një ndër ndërmarrjet më të mëdha që do mbetet në histori.

Të Fundit