Miratimi i buxhetit, SPAK refuzon prezencën fizike të Veliajt në Këshillin Bashkiak

SPAK ka refuzuar kërkesën e këshilltarëve socialistë të Bashkisë së Tiranës për leje të posaçme që do t’i mundësonte kryebashkiakut në detyrë, Erion Veliaj, të merrte pjesë fizikisht në mbledhjen e nesërme të Këshillit Bashkiak ku do të diskutohet buxheti i vitit të ardhshëm.

Sipas njoftimit zyrtar, SPAK ka vendosur të mos e aprovojë kërkesën, duke argumentuar se rasti nuk hyn në kategoritë e përcaktuara nga ligji për të cilat mund të jepet leje për personat nën masën e sigurisë.

“Nuk aprovohet kërkesa për lejen fizike të Erion Veliajt për të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës,” thuhet në përgjigjen e SPAK, i cili sqaron se mbledhja për buxhetin nuk konsiderohet arsye e ligjshme për të dhënë një përjashtim nga masa aktuale e sigurisë ndaj tij.

Këshilltarët bashkiakë kishin kërkuar që Veliaj të ishte i pranishëm për të dhënë sqarime në lidhje me projektbuxhetin, por vendimi i SPAK e bën të pamundur pjesëmarrjen e tij fizike në seancë.

“E njëjta praktikë është ndjekur edhe në raste të ngjashme, përfshirë atë të Fredi Belerit, të cilit nuk iu dha leja për t’u betuar.”

Të Fundit