Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave ka bërë me dije se janë marrë dy vendime, të cilat kanë të bëjnë me Eurobondin dhe punësimin.
Ibrahimaj, njoftoi se është vendosur që shuma që do të dalë në tregun ndërkombëtar për eurobondin do të jetë 700 mln euro.
Po ashtu sot u miratua edhe një tjetër projektvendim i rëndësishëm. Bëhet fjalë për marrjen e një granti nga Gjermania për zhvillimin e qëndrueshëm rajonal, duke nxitur punësimin dhe arsimin profesional.
“Ditën e sotme u miratuan dy projektvendime të rëndësishme. I pari ka të bëjë me Erubondin dhe vlerën e tij. Eurobondit pritet të dalë në treg në fillim të muajit nëntor dhe do të ketë një vlerë prej 700 milion euro. Nuk është vendosur akoma data për daljen në treg, me qëllim që të dalim në ditët më të përshtatshme.
Gjithashtu, ministrja ka bërë me dije se është miratuar projektvendimi për nxitjen e punësimit dhe arsimit profesional.
“Po ashtu u miratua një projektvendim që ka lidhje me nxitjen e punësimit, arsimin profesional dhe zhvillimin ekonomik të bizneseve të vogla. Sot miratuam një projektvendim që i hap rrugën rritjes së një granti nga qeveria gjermane, prej 1, 25 milion euro që i bashkohet grantit duke e çuar në total në 25.15 milion. Nëpërmjet këtij projekti janë trajnuar një numër i madh biznesesh”, deklaroi Ibrahimaj.