Në Tiranë për tri ditë me radhë do të mbajë punimet Konventa Ndërkombëtare e Turizmit.
Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Belinda Balluku mbajti fjalën e saj në këta aktivitet të rëndësishëm, ndërsa tha se qeveria shqiptare po punon për thithjen e investimeve të huaja. Ajo tha se investitorët e huaj kanë kërkuar një sërë kushtesh, të cilat tashmë janë plotësuar falë punës së qeverisë shqiptare.
“Është më mirë të dëgjojmë prej miqve dhe partnerëve tanë, sepse ata janë dëshmitarët e vërtetë të punës. Këtu nuk flasim vetëm për turizmin , por edhe për atë paketë që qeveria shqiptarë ka ofruar prej vitit 2015.
Në lidhje me investimet e huaja, ata duhet të vijnë në Shqipëri, sepse kjo qeveri ka punuar shumë për t’u ofruar duke u plotësuar disa prej kërkesave të tyre. Një nga kërkesat që mora prej investitorëve ishte transparenca, rregullat e drejta të lojës dhe garës dhe ajo që quhet korsia e shpejtë”, tha Balluku.
Sa i takon shifrave të investimeve, Balluku tha se në vitin 2022 investimet e huaja në vend kanë mbërritur në 1.3 miliardë euro. Sipas saj, vizioni i qeverisë është që ta kthejë Shqipërinë në një vend lider në rajon në fushën e turizmit dhe të energjisë së rinovueshme.
“Ndryshimi ka mbërritur duke parë shifrat. Volumi i investimeve të huaja në 2022, ka arritur në 1.3 miliardë krahasuar më 2012, që ishin diku 800 milionë.
Shifrat flasin qartë. Qeveria e Shqipërisë ka një vizion, që ta bëjë Shqipërinë vendin më të rëndësishëm në rajon për turizmin, energjinë e rinovueshme, infrastrukturën ndërlidhëse dhe sektorë kritikë që kontribuojnë për ekonominë tonë”, shtoi zv.kryeministrja Belinda Balluku.