Ministri Çuçi: Kujt i ka skaduar karta e identitetit, do të lejohet të votojë më 14 maj

Kabineti qeveritar këtë të enjte ka zhvilluar mbledhjen e radhës për të miratuar vendimet enë rendin e ditës.

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, pas mbledhjes ka dhënë detaje në lidhje me vendimet e miratuara sot në këshillin e ministrave. Sipas Çuçit është vendosur që të gjithë mjetet e identifikimit që kanë skaduar apo do të skadojnë deri më 14 maj, do të jenë të vlefshme për zgjedhjet lokale.

Ministri ka theksuar se me këtë vendim të gjithë qytetarët kanë të drejtë që të votojnë në zgjedhje.

“Vendosëm që të shtyjmë afatin e kartave të identitetit që ka skaduar ose skadojnë me 14 maj. Të gjithë shtetasit do të mund të votojnë dhe nëse mjeti i tyre i identitetit ka skaduar. Kemi vendosur për ti hapur rrugë zbatimit të strukturës së re të policisë së shtetit.

Struktura që është miratuar fillon zbatimin dhe është një ndër reformat më të mëdha që ka bërë policia e shtetit në ristrukturimin tërësor të policisë kriminale, një ndër objektivat e ministrit për 2023”, ka thënë ministri.

Ndër të tjera ai ka dhënë detaje dhe në lidhje me kalimin e kompanisë së prodhimit të mjeteve të identifikimit nga private te shteti, ku ka theksuar se ishte një proces i nevojshëm dhe menjëherë sapo ta marrin në administrim do vendosen dhe çmimet.

“Kalimi nga privati tek shteti nuk ka lidhje me fare me çmimin, por është një marrëdhënie kontraktore me kompanisë që mbaro në fund të korrikut, dhe ne si qeveri unë si ministër i Brendshëm, do të përfundojmë kontratën dhe do e marrim administrimin e kompanisë. Pasi ta marrim në administrim çështja e çmimit do të vendoset pas atij momenti”, ka thënë ai.

Të Fundit