Shkencëtarët britanikë kanë ruajtur informacionin e ADN-së së një njeriu në një kristal, i cili mund të përdoret për të rikthyer njerëzimin nëse zhduket.
Ekipi nga Qendra Kërkimore Optoelektronike e Universitetit të Southampton (ORC) ka përdorur lazer për të shkruar të dhënat në një kristal 5D, për të cilin ata thanë se mund të mbijetojë për miliarda vjet.
Ndryshe nga formatet e tjera të ruajtjes, ai nuk degradohet me kalimin e kohës.
Në një deklaratë, universiteti e përshkroi kristalin – ekuivalent me kuarcin e shkrirë – si një nga “materialet më të qëndrueshme kimikisht dhe termikisht në Tokë”.
Bëhet e ditur se ai mund të përballojë forca masive, temperatura ekstreme dhe “ekspozimin ndaj rrezatimit kozmik”.
Ekipi në Southampton, i udhëhequr nga profesori Peter Kazansky, ka përdorur lazer ultra të shpejtë për të ngulitur të dhëna rreth gjenomit njerëzor – që përfaqësojnë të gjithë grupin e udhëzimeve të ADN-së që gjenden në një qelizë.
“Ndryshe nga shënimi vetëm në sipërfaqen e një cope letre 2D ose shiritit magnetik, kjo metodë e kodimit përdor dy dimensione optike dhe tri koordinata hapësinore për të shkruar në të gjithë materialin – prandaj është ‘5D’”, tha një zëdhënës i universitetit.
Ekipi shpreson se kristali mund të përdoret në të ardhmen për të regjistruar gjenomet e specieve të rrezikuara të bimëve dhe kafshëve të cilat përballen me zhdukjen.
Por, ka një ngecje, shkruan Skynews.
Aktualisht nuk është e mundur të krijohen në mënyrë sintetike njerëz, bimë dhe kafshë duke përdorur vetëm informacionin gjenetik.
Prof. Kazansky tha se jetëgjatësia e kristalit 5D nënkupton se informacioni do të ishte i disponueshëm nëse ndonjëherë do të bëheshin përparime në ADN.
“Ne e dimë nga puna e të tjerëve se materiali gjenetik i organizmave të thjeshtë mund të sintetizohet dhe përdoret në një qelizë ekzistuese për të krijuar një ekzemplar të gjallë të qëndrueshëm në një laborator.
Kristali 5D hap mundësi për studiues të tjerë për të ndërtuar një depo të përjetshme të informacionit gjenomik nga i cili organizmat komplekse si bimët dhe kafshët mund të restaurohen nëse shkenca e lejon në të ardhmen”, tha Kazansky.
Siç raportohet, kristali përfshin një çelës vizual për të treguar detaje rreth asaj se çfarë të dhënash ruhen brenda dhe se si mund të përdoren nga një inteligjencë e ardhshme – specie ose makineri – për të krijuar një njeri.
Çelësi tregon elementet universale (hidrogjeni, oksigjeni, karboni dhe azoti); katër bazat e molekulës së ADN-së (adenina, citozina, guanina dhe timina) me strukturën e tyre molekulare; vendosjen e tyre në strukturën spirale të dyfishtë të ADN-së; dhe si pozicionohen gjenet në një kromozom, i cili më pas mund të futet në një qelizë.
Kristali është ruajtur në arkivin Memory of Mankind – një kapsulë speciale kohore brenda një shpelle kripe në Hallstatt në Austri.