Mijëra protestues kërkojnë drejtësi pas dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë

Teksa ditë më parë një 11 vjeçare u dhunua në Prishtinë nga pesë persona. Policia e Kosovës ka arritur t’i arrestojë të pesë të dyshuarit, sot në kryeqytet po protestohet për të kundërshtuar dhunën ndaj grave.

Protesta po mbahet në sheshin “Zahir Pajaziti”, ndërkaq organizohet nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist.

“Dhuna s’ka arsyetim”, “mbrojtje për vajzat e gratë” dhe “gra armatosuni”, kanë qenë disa nga parullat e mijëra protestueseve në Prishtinë të cilët po kërkojnë drejtësi pas rastit të dhunimit të një 11-vjecare në Prishtinë nga pesë persona.

Protestuesit fillimisht kanë protestuar para objektit të Ministrisë së Drejtësisë, ku kanë hedhur ngjyrë të kuqe.

Pastaj para objektit të Policisë dhe atij të Avokatit të Popullit, derisa destinacion i fundit i protestueseve është Qeveria e Kosovës.

Përfaqësuesit e Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist paraqitën tri kërkesat kryesore si: krijimi i mekanizmave efektiv për trajtimin me dinjitet të mbijetuarat e dhunës, trajtimi i drejtë i rasteve dhunës ndaj grave dhe dënime meritore për abuzuesit si dhe legalizimi dhe përdorimi i sprejit irritues për vetëmbrojtje.

Në solidaritet me Prishtinën, edhe në Shqipëri, shoqëria civile ka paralajmëruar protestë.

“Për mbrojtjen e vajzave dhe grave nga dhuna patriarkale”, qytetarët do të mblidhen këtë të mërkurë në sheshin “Nënë Tereza”, në orën 18:30.

Katër persona ndodhen në paraburgim në kohëzgjatje prej një muaji, si të dyshuar për dhunimin e një 11-vjeçareje të shtunën në parkun e lagjes “Arbëria” në Prishtinë. Tre nga katër të dyshuarit që po qëndrojnë në paraburgim janë të mitur. Ndërsa, i moshës madhore, 19-vjeç, është edhe i dyshuari i pestë.

Të Fundit