Presidenti Ilir Meta reagon pas publikimit të raportit të Iniciativës Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar (Global Initiative against Transnational Organized Crime – GI), ku thuhet se “Paratë e drogës në Shqipëri pastrohen në ndërtim”.
Meta citon pjesë nga raporti, ku thuhet se “Në Vlorë, grupet kriminale pretendohet se kanë investuar në sektorin e turizmit, duke përfshirë hotele luksoze në bregdet. Çmimet janë rritur nga 600 në 700 euro/m2 në vitin 2017 në bregun e detit, në 1000 – 1200 euro/m2 në fillim të vitit 2021”.
Reagimi i Metës:
Është bërë e qartë nga të gjitha institucionet dhe organizatat prestigjioze ndërkombëtare, që fenomeni kriminal i pastrimit të parave është kthyer në sistem dhe që kryesisht të ardhurat nga trafiku dhe tregtia e drogës po pastrohen me lehtësi në sektorin e ndërtimit dhe të turizmit.
Raporti sqaron se “çmimi i një metër katror në një apartament banimi mesatar në Tiranë ishte rreth 861 euro në vitin 2017, por në vitin 2020, vetëm tre vite me vonë, çmimet pothuajse u dyfishuan duke arritur nivelin e 1400 – 2000 euro/m2.
Në Vlorë, grupet kriminale pretendohet se kanë investuar në sektorin e turizmit, duke përfshirë hotele luksoze në bregdet. Çmimet janë rritur nga 600 në 700 euro/m2 në vitin 2017 në bregun e detit, në 1000 – 1200 euro/m2 në fillim të vitit 2021”.
Shqipëria nuk meriton të jetë lavatriçe e pastrimit të parave të organizatave kriminale vendase, rajonale dhe ndërkombëtare, sikundër SPAK, Prokuroria dhe të gjithë institucionet ligjzbatuese nuk duhet të mbyllin sytë përballë çdo veprimtarie antiligjore.