Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i është drejtuar Gjykatës së Posaçme me një kërkesë lidhur me mënyrën e trajtimit të tij si i paraburgosur gjatë seancave gjyqësore.
Në parashtrimet e mbrojtjes, pretendohet se mënyra e vendosjes së Metës në sallën e gjyqit përbën shkelje të nenit 3 dhe nenit 30 të Kushtetutës së Shqipërisë, si dhe të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke cenuar prezumimin e pafajësisë dhe të drejtën për një mbrojtje efektive.
Avokati i tij, Kujtim Cakrani, deklaroi se kërkesa synon që Meta të qëndrojë pranë mbrojtësit të tij gjatë gjithë procesit gjyqësor, me qëllim garantimin e një gjykimi të drejtë dhe barazisë së palëve.
Sipas tij, mbajtja e të pandehurit në “kafaz me xhama” gjatë seancave është diskriminuese dhe paragjykuese, duke e bërë të vështirë komunikimin konfidencial mes të akuzuarit dhe avokatit.
Kujtojmë se Ilir Meta është arrestuar më 21 tetor 2024 dhe ndaj tij rëndojnë akuza për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje pasurie bashkë me ish-bashkëshorten e tij Monika Kryemadhin.
Sipas hetimeve të SPAK, ata dyshohet se kanë favorizuar kompani private dhe janë përfshirë në aktivitete të dyshuara financiare, përfshirë lobime dhe transaksione të ndryshme.



