Mesazhi i Papës në këto Krishtlindje: Shikoni përtej dritave, kujtoni të varfërit

Në meshën e vigjiljes së Krishtlindjes, Papa Françesku, tha se njerëzit që janë indiferentë ndaj të varfërve fyejnë Zotin, ndërsa u bëri thirrje të gjithëve që “të shikojnë përtej të gjitha dritave dhe zbukurimeve” dhe të kujdesen për më të varfrit.

Ati i Shenjtë, që kremton Krishtlindjen e nëntë të Papatit të tij, mbajti një meshë solemne në Bazilikën e Shën Pjetrit për rreth 2,000 vetë, me pjesëmarrje të kufizuar për shkak të Covid-19.

Pak minuta para fillimit të meshës së Krishtlindjes, Italia raportoi një rekord të dytë të njëpasnjëshëm ditor të rasteve pozitive me Covid-19, prej 50,599 infektimesh. Papa, i veshur me petkun e bardhë, mbajti predikimin e tij rreth temës që Jezusi lindi pa asgjë.

“Vëllezër dhe motra, duke qëndruar përpara grazhdit të fëmijës, ne soditim atë që është qendrore, përtej të gjitha dritave dhe zbukurime. Ne soditim fëmijën“, tha ai.

Papa, tha se foshnja Jezus që lindi në varfëri duhet t’u kujtojë njerëzve se shërbimi ndaj të tjerëve është më i rëndësishëm se kërkimi i statusit ose dukshmërisë sociale ose kalimi i një jete në kërkim të suksesit.

“Është në ta (të varfërit) që ai dëshiron të nderohet“, tha Ati, i cili e ka bërë mbrojtjen e të varfërve një gur themeli të pontifikatit të tij.

Papa citoi gjithashtu një varg nga një poezi e Emily Dickinson: “Kush e ka gjetur parajsën – poshtë – do të dështojë nga lart” – dhe shtoi me fjalët e tij: “Le të mos e harrojmë parajsën; le të kujdesemi për Jezusin tani, duke e përkëdhelur në nevojtarët, sepse në to ai bëhet i njohur“.

Të shtunën Ati i Shenjtë do të japë bekimin dhe mesazhin e tij “Urbi et Orbi” (qytetit dhe botës) nga ballkoni qendror i Bazilikës së Shën Pjetrit./Klan News

Të Fundit