Mereme Sela: Zgjedhjet në PD po manipulohen, do i drejtohem Gjykatës dhe SPAK-ut

Mjekja Mereme Sela, e cila kishte dorëzuar kandidaturën e saj për të marrë pjesë në zgjedhjet për kryetar të Partisë Demokratike të Shqipërisë, ka reaguar me një deklaratë për shtyp pasi emri i saj nuk është regjistruar në procesin zgjedhor.

Në deklaratën e saj, Sela shprehet se procesi zgjedhor brenda partisë po zhvillohet në mënyrë të padrejtë dhe të pabarabartë, duke ngritur pretendime për shkelje të statutit.

Ajo njofton se do t’i drejtohet Gjykatës së Tiranës me kërkesë për pezullimin e procesit zgjedhor, si dhe SPAK-ut për të hetuar, sipas saj, parregullsitë në zgjedhjet brenda Partia Demokratike e Shqipërisë.

“Ti drejtohem SPAK për hetimin e proçesit të korruptuar zgjedhor në Partinë Demokratike nga i pandehuri Sali Berisha i cili është në akuzë edhe për vepra të tjera penale. I vetmi person që nuk përmbush kriteret e statutit është ish-kryetari Sali Berisha, i cili ka humbur zgjedhjet e vitit 2025 dhe nuk i lejohet ligjërisht sipas statutit të partisë të garojë për funksionin e kryetarit”, shkruan ajo.

Sela thotë gjithashtu se do të informojë ambasadat e SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe misionin e BE-së, duke e cilësuar situatën si problem për demokracinë e brendshme në parti.

Ajo shprehet se përjashtimi i saj dhe i kandidatëve të tjerë përbën, sipas saj, një goditje ndaj garës së lirë dhe procesit demokratik brenda partisë.

Ndërkohë, ajo thekson se nuk ka marrë një njoftim zyrtar për regjistrimin apo mosregjistrimin e kandidaturës, por vetëm përmes mediave.

Sipas saj, kjo situatë reflekton problematika të vazhdueshme në funksionimin e brendshëm të PD-së.

Deklarata e plotë

“Unë, Mereme Sela, kandidate për kryetare e Partisë Demokratike të Shqipërisë, njoftoj opinionin publik se zgjedhjet për kryetar dhe procedurat përkatëse po manipulohen.

Për këto arsye, vendosa:

T’i drejtohem Gjykatës së Tiranës me një kërkesë për pezullimin e procesit zgjedhor, si të paligjshëm, të padrejtë, të pabarabartë dhe në kundërshtim me statutin e PD-së, të miratuar nga Kuvendi dhe të njohur nga gjykata.
Ti drejtohem SPAK për hetimin e proçesit të korruptuar zgjedhor në Partinë Demokratike nga i pandehuri Sali Berisha i cili është në akuzë edhe për vepra të tjera penale.
T’u drejtohem Ambasadës së SHBA-së, Ambasadës së Britanisë së Madhe dhe misionit të BE-së për t’i informuar dhe për t’u kërkuar ndihmë, pasi ish-kryetari Sali Berisha ka marrë peng partinë dhe nuk lejon zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
T’u drejtohem mediave për të na ndihmuar që Partia Demokratike të mos shkatërrohet, por të demokratizohet. Eliminimi ynë, si pesë rivalë në garë – Evi Kokalari, Alesia Balliu, Ervin Salianji dhe Vladimir Mula – përbën një atentat kundër demokracisë brenda partisë.
I vetmi person që nuk përmbush kriteret e statutit është ish-kryetari Sali Berisha, i cili ka humbur zgjedhjet e vitit 2025 dhe nuk i lejohet ligjërisht sipas statutit të partisë të garojë për funksionin e kryetarit.
Partia Demokratike nuk mund të vijë në pushtet me një lider “non grata” në Uashington dhe Londër.

Njoftimin për skualifikimin e kam marrë përmes mediave, çka në vetvete është e papranueshme. Ky vendim është i padrejtë dhe i pajustifikuar. Përkundrazi, nëse do të kishte një vlerësim të drejtë dhe në përputhje me statutin e partisë, personi që duhej të ishte subjekt skualifikimi do të ishte z. Berisha.

Për këtë arsye, do të ndjek të gjitha procedurat ligjore në dispozicion dhe do të paraqes ankesën time zyrtare. Megjithatë, bazuar në përvojat e mëparshme, nuk pres një reagim apo përgjigje serioze nga Partia Demokratike, pasi kjo ka qenë një praktikë e përsëritur ndër vite.

Kjo mënyrë veprimi është një ndër arsyet kryesore pse Partia Demokratike ndodhet në këtë situatë sot.

Duke ju falënderuar për mbështetjen!”, thotë ajo.

Me respekt,
Dr. Mereme Sela
Kandidate për Kryetare e Partisë Demokratike

Të Fundit