Evropa është një kontinent plot diversitet, kulturë dhe histori, por edhe destinacione shumë të njohura dhe të shtrenjta. Megjithatë, ka vende që ofrojnë një përvojë unike dhe autentike, pa dëmtuar buxhetin tuaj, siç janë vendet si Shqipëria, Moldavia dhe Malin e Zi. Kështu shkruan media spanjolle “Telecinco”, e cila ka bërë një rënditje të vendeve më të lira sa i përket turizmit.
Shqipëria, ky vend i vogël ballkanik ka një vijë bregdetare spektakolare, me plazhe me rërë të bardhë dhe ujëra të kristalta, të cilat nuk kanë asgjë për t’i pasur zili fqinjëve të saj, Greqisë apo Kroacisë. Përveç kësaj, ka edhe një trashëgimi të pasur kulturore dhe historike, e cila pasqyrohet në qytetet, kështjellat dhe muzetë e saj. Shqipëria është një nga vendet më të lira në Evropë, me një buxhet ditor rreth 20 euro për person. Kështu e klasifikon media spanjolle Shqipërinë. “Telecinco”, jep një itinerar 6-ditor për turistët në vendin tonë.
Itinerari nis me Tiranën jo vetëm se është kryeqyteti, por dhe si porta kryesore hyrëse nga aeroporti “Nënë Tereza”.
Në kryeqytetin e Shqipërisë mund të vizitoni qendrën historike, ku mund të gjeni sheshin Skënderbej, xhaminë e Et’hem Beut, muzeun historik kombëtar dhe piramidën e Tiranës.
Gjatë natës, mund të shijoni gjallërinë e kryeqytetit, me baret dhe restorantet e tij.
Berati është në ditën e dytë të turit që sugjeron media spanjolle, duke e cilësuar një nga qytetet më të vjetra dhe më të bukura të Shqipërisë. Berati njihet si qyteti i njëmijë dritareve, për shtëpitë e tij tradicionale prej guri dhe druri që rreshtohen në kodrat.
Mund të vizitoni kështjellën e Beratit, e cila strehon një muze ikonash, një katedrale ortodokse dhe disa kisha. Ju gjithashtu do të mund të vizitoni urën osmane mbi lumin Osum dhe lagjen Mangalem, një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Dita e tretë vazhdon për në Gjirokastër, një tjetër qytet i Trashëgimisë Botërore për arkitekturën e tij tipike të Shqipërisë së Jugut. ku veç kalasë dhe pazarit të vjetër të qytetit këshillohet për tu vizituar edhe shtëpia muze e shkrimtarit Ismail Kadare.
Veç qyteteve muzeale, “Telecinco” sugjeron edhe jugun me plazhet e tij përrallore. Ditën e katërt, si pjesë të turit ka lënë udhëtimin drejt Sarandës, i shtrirë përgjatë detiti Jon. Saranda është një destinacion popullor për plazhet me rërë dhe ujin e pastër Kristal, si Ksamili apo Plazhi i Pasqyrës.
Gjithashtu mund të vizitoni Parkun Kombëtar të Butrintit, ku mund të gjeni rrënojat e një qyteti të lashtë grek dhe romak, si dhe një vend tjetër që përfshiet në këtë destinacion është dhe burimi natyror i Syrit të Kaltër.
Ditën e pestë këshillohet një ndalesë në Durrës, qyteti i dytë më i madh në Shqipëri. Durrësi është një qytet-port me një histori të gjatë, që daton në shekullin e VII para Krishtit. Ju mund të vizitoni amfiteatrin e tij romak, më i madhi në Ballkan, i cili mund të mbajë 20 000 spektatorë.
Do të shihni gjithashtu Muret Veneciane, Muzeun Arkeologjik dhe Kullën e Mbretit Zog. Dita e gjatë është kthimi në Tiranë dhe transferimi në aeroport për fluturimin e kthimit.
Vitit 2023 është viti më i mirë i turizmit në vendin tonë me shifra rekord të turistëve të huaj, me rreth 5.2 milionë në 7 muaj, ndërkohë që viti pritet të mbyllet me 10 milionë.