Media italiane: Gruaja e Kajmakut me llogari bankare 2 mln $, çfarë u gjet në kamionin e tij në Durrës

Ish-kryebashkiaku i Vorës Agim Kajmaku është në shënjestër të autoriteteve italiane që pasi u arrestua bashkë me nipin me 20 kilogramë kokainë në një fidanishte në qytezën Grotamare në San Benedeto del Tronto ku kishte shkuar për të blerë bimë që rriten në vazo brenda të cilave fshehu sasinë e drogës.

Il Resto del Carlino shkruan për ngjarjen e bujshme duke e cilësuar si një histori filmi që në fakt është e vërtetë. Hetimet për ish-kryebashkiakun krahas Italisë, janë shtrirë edhe në Shqipëri. Ditët e fundit në portin e Durrësit është ushtruar kontroll në një prej kamionëve të kompanisë së Kajmakut. Aty janë zbuluar disa vende të fshehta ku dyshohet se futej droga megjithatë, brenda mjetit nuk është konstatuar asnjë sasi droge. Prandaj autoritetet dyshojnë se kjo është skema se si kanë arritur të lëvizen qindra kilogramë drogë.

Il Resto Del Carlino thotë se policia shqiptare ka arritur që të zbulojë edhe një llogari bankare në emrin e gruas së Agim Kajmakut me 2 milionë Dollarë brenda. Nën hetim është origjina e këtyre parave.

Si ranë në pranga Kajmaku dhe nipi i tij?

Ish-kryebashkiaku i Vorës, është arrestuar nga policia italiane më 27 maj të 2022. Ai u kap së bashku me nipin me 20 kg kokainë në një fidanishte në qytezën Grotamare. Mediat italiane thonë se ka qenë pronari i fidanishtes që ka lajmëruar policinë pasi ka parë zëvendësimin e bimëve me drogën. ABC mësoi se Kajmaku ka qenë në përgjim prej dy muajsh nga forcat e antidrogës së San benedetos. Për të ndjekur hap pas hapi çdo lëvizje të tij, policia italiane kishte montuar kamera në disa akse, banesa dhe lagje ku kryheshin takimet e të dyshuarve. Në rast se droga do të shitej në treg, do të kapte vlerën e rreth 1 milion eurove.

Vetë Kajmaku ka mohuar çdo fakt që i përfshin me kokainën e gjetur në Itali. Ndërkohë vijojnë hetimet për të konstatuar se si ka mbërritur në fidanishte kokaina e fshehur në vazot e bimëve që ishin blerë nga fidanishtja shqiptare. Krahas hetimeve nga drejtësia italiane, Kajmaku do të përballet edhe me gjykatën shqiptare.

Në shkurt të këtij viti Prokuroria e kryeqytetit ka ankimuar në Apel vendimin e Gjykatës së Tiranës, që pushoi çështjen ndaj Kajmakut, i akuzuar për “falsifikim të vulave, stampave ose formularëve”. Në 30 dhjetor 2021, Gjykata Penale e Tiranës kishte vendosur pushimin e hetimeve ndaj Kajmakut për pamjaftueshmëri të provave të paraqitura nga ana e organit të akuzës. Në nëntor 2019, Prokuroria e Tiranës kërkoi arrestimin e Agim Kajmakut, asokohe në detyrën e kryetarit të bashkisë së Vorës, pasi dyshohej se kishte fshehur një dënim në Greqi. Ai u akuzua për falsifikim të formularit të dekriminalizimit dhe shpërdorim detyrë.

Të Fundit