Më shumë se 11 identitete, gënjeu dhjetra persona, përfitoi 426.577 euro! Kush është mashtruesi që ‘godiste’ online.

Pas hetimeve 4-vjeçare, një 41-vjeçar rumun me banim në Gjermani është arrestuar pasi u zbulua dhe dokumentua veprimtaria e tij kriminale në fushën e mashtrimit kompjuterik.

Policia e Shtetit bën me dije se në bashkëpunim me homologët, “pas hetimeve 4-vjeçare të kryera nga Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Drejtorinë Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, është vënë në pranga në Gjermani, 41-vjeçari rumun me banim në Gjermani”.

Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike nisi hetimet pas kallëzimit të marrë në vitin 2017 nga një kompani shqiptare, për veprën penale “Mashtrim kompjuterik”, duke qenë se ishte mashtruar për blerjen e një pajisjeje nëpërmjet internetit.

“Pas kryerjes së hetimeve në bashkëpunim me Prokurorinë e Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe me autoritetet gjyqësore gjermane, Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike ka konkluduar se një shtetas i huaj me identitet të rremë kishte krijuar një kompani fiktive me emërtimin “EHExport-Import“, me qëllim mashtrimin e shtetasve në hapësirën virtuale duke shitur pajisje të cilat në realitet nuk i posedonte.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas ka përfituar një shumë të dokumentuar prej 426.577 euro, në 26 raste, por nuk përjashtohet fakti që ky shtetas të ketë përfituar më shumë duke qenë se e ka filluar aktivitetin kriminal që në vitin 2013 dhe ekzistojnë një sërë rastesh të padokumentuara.

Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike ka dokumentuar rastin në lidhje me shtetasin A. T, 41 vjeç, lindur në Rumani dhe banues në Gjermani, për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi kompjuterik” dhe në bashkëpunim me autoritet policore gjermane është bërë prangosja e këtij shtetasi, në Gjermani.

Po ashtu, nga kryerja e veprimeve hetimore dyshohet se ky shtetas ka përdorur rreth 11 identitete të rreme, por nuk përjashtohet fakti që ky shtetas të ketë përdorur më shumë identitete të cilat lidhen me rastet e tjera të padokumentuara”, thuhet në njoftim.

Të Fundit