Me ndihmën e noteres, Sabri Shera shet apartamente edhe pas revokimit të kontratës

Një shoqëri ndërtimi denoncon njërin prej ish-aksionerëve të saj, Sabri Shera, se ka bërë kontrata pa miratimin e kompanisë, edhe pasi kontrata e bashkëpunimit ishte revokuar. Sipas kontratës së bashkëpunimit në 16 nëntor 2017, Sabri Shera figuron si investitor i parë dhe shoqëria e ndërtimit, është investitor i dytë. Të dy palët morën përsipër të bashkëpunonin për ndërtimin e një objekti në kryeqytet, ku do të njihnin si ekskluzive një kontratë sipërmarrjeje me palën pronare të truallit të vitit 2012.Pasi të zbardhej leja zhvillimore, pala pronare do të merrte 38 përqind të ndërtimit, 60 përqind Sabri Shera dhe 2% shoqëria. Shoqëria shprehu dakordësinë, që të drejtën e ndërtimit do ta kryente Sabri Shera, kurse leja zhvillimore do të ishte në emër të kompanisë.Shoqëria me administrator Saim Ketën dhe ortak Mustafa Kurtin, vendosi të revokojë marrëveshjen e bashkëpunimit në korrik 2022. Por me ndihmën e noteres Perian Bodinaku, Sabri Shera përdori një prokurë të përgjithshme të korrikut 2020, për të lidhur kontrata sipërmarrjeje, prenotime apartamentesh dhe njësish tregtare me qytetarë të ndryshëm.Por, ka një problem:Në vitin 2022 Sabri Shera me revokimin e kontratës së bashkëpunimit, u zhvesh nga fuqia juridike. Ndërkohë, në prill 2023 shoqëria e ndërtimit shitet dhe kalon në pronësi të një administratori të ri, i cili për më tepër nuk shihet të figurojë në asnjë prej kontratave të reja të prenotimit, edhe pse nga një kërkim i thjeshtë në QKB, dukshëm shihet, se ka administrator të ri.

Të Fundit