“Më la pa bukën e gojës” makina e policise perplas furgonin e parkuar, qytetari 2 vite ne hall

Xhevdet Doçi i është drejtuar emisionit “Stop”, për të kërkuar zgjidhje për një aksident të ndodhur në qershor të vitit 2024, në Bathore. Ai kishte ndaluar furgonin para një dyqani, për të shkarkuar fruta dhe perime, kur mjeti u përfshi në një përplasje me automjete të tjera. Si pasojë, furgoni i tij doli jashtë përdorimit dhe, prej dy vitesh, qytetari thotë, se nuk ka arritur të marrë dëmshpërblimin. Pa mjetin me të cilin siguronte jetesën, ai ka mbetur edhe pa punë.Avokati i tij, Gëzim Hoxha, shpjegon se, pas aktit të ekspertimit autoteknik, i janë drejtuar me shkresë kompanisë së sigurimit, por kjo e fundit, i ka orientuar drejt kompanisë, që siguron mjetin e Policisë. Për shkak të mungesës së një zgjidhjeje, ata i janë drejtuar edhe Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, por, sipas avokatit, nuk kanë marrë përgjigje.Pamjet e aksidentit dhe akti i ekspertimit, paraqesin një përplasje, ku janë përfshirë tri automjete, mes tyre edhe një makinë policie. Sipas ekspertizës, drejtuesi i mjetit të Policisë ka kryer shkelje, që lidhen me tejkalimin e shpejtësisë së lejuar me mbi 48 km/orë, parakalimin e gabuar dhe drejtimin e mjetit nën efektin e alkoolit. Ndërsa drejtuesit të një automjeti tip Audi i është atribuar kryerja e një manovre të gabuar. Ekspertiza përcakton, se përgjegjësia për aksidentin, i takon drejtuesit të Audit, i cili po kryente një kthim majtas. Drejtori i dëmeve motorike në kompaninë e sigurimeve, shpjegon se, përderisa çështja është pushuar nga gjykata, kompania nuk ka një vendim gjyqësor, që përcakton fajtorin. Ai sqaron se mjeti i Policisë, ka marrë një gjobë dhe se qytetari duhet t’i drejtohet gjykatës për përcaktimin e përgjegjësisë, ose të vijojë procedura e dëmshpërblimit nga kompania tjetër e sigurimit.

Të Fundit