Mbretëresha e Danimarkës kërkon ndjesë pasi i hoqi titujt nipërve

Mbretëresha e Danimarkës ka kërkuar falje pasi u ka hequr titujt mbretërorë të katër nipërve të saj, por nuk e ka anuluar vendimin.

Mbretëresha Margrethe II tha se ajo dëshironte që monarkia t’i rezistonte kohës, se vendimi i saj kishte marrë një kohë të gjatë dhe se do të “provonte të ardhmen” dhe qëndrueshmërinë e institucionit, shkruan BBC.

Por, ajo e nënvlerësoi reagimin e familjes së saj dhe për këtë tha se i vinte keq.

Vendimi fillestar u shpall javën e kaluar, për të filluar vitin e ardhshëm.

“Titujt e princit dhe princeshës, që ata kanë mbajtur deri më tani, do të ndërpriten”, thuhet në deklaratën fillestare. “Kështu pasardhësit e princit Joachim do të duhet të trajtohen si ekselenca në të ardhmen”.

Princi Joachim, djali i vogël i mbretëreshës Margrethe, tha se ishte i mërzitur nga ndryshimi.

“Nuk është kurrë kënaqësi të shohësh fëmijët e tu të keqtrajtohen kështu”, tha ai për Ekstra Bladet. “Ata e gjejnë veten në një situatë që nuk e kuptojnë”.

Gruaja e tij, Princesha Marie, tha se fëmija i saj më i vogël ishte ngacmuar në shkollë pas njoftimit.

Të Fundit