Eksperti i Çështjeve Ndërkombëtare, Andi Hoxhaj, është shprehur se trafikantët shqiptarë sipas ‘The Times’, kanë sjellë nga Britania e Madhe drejt Shqipërisë rreth 400 milionë paund.
Komentet Hoxhaj i bëri përmes një lidhjeje me Euronews Albania, ku tha se këto para përdoren në ekonominë shqiptare dhe japin impakt negative, sidomos në rritjen e çmimeve të apartamenteve.
Ai tha gjithashtu se kohët e fundit agjencitë ligjzbatuese në të dy vendet kanë nisur të bashkëpunojnë më fortë dhe të adresojnë problematikat që shkakton krimi i organizuar shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar.
“Ajo që duhet të shikojmë si anë pozitive dhe që po adresohet, është se MB, agjencia ligjzbatuese ka nënshkruar një memorandum me SPAK, që është memorandumi i parë që bëhet me një agjenci të tillë në Ballkanin Perëndimor. Është për të targetuar krimin dhe për të shkëmbyer informacion.
Po ashtu ministri Balla dhe ministri i Brendshëm i MB kanë nënshkruar një marrëveshje për të ndarë më shumë informacione dhe për ta luftuar krimin. Nuk është më si më parë. Ne mund t’i referohemi informacioneve, ku flitet që bandat shqiptare janë të përfshirë në fushën e shpërndarjes së kanabisit dhe drogërave të tjera.
Ne pamë pak ditë më parë edhe një artikull të The Tims, që thoshte se trafikantët sjellin në Shqipëri mbi 400 milionë paund, që përdoren në ekonominë shqiptare dhe kanë patur impakt negative përsa i përket rritjes së çmimeve të apartamenteve, kryesisht në Tiranë”, tha Hoxhaj.