Maturantët sërish në protestë: E ardhmja jonë është në duart e kopjacëve

Maturantët po protestojnë në ditën e dytë radhazi për provimin e matematikës që u zhvillua ditën e premte.

Ata pretendojnë që teza e provimit të matematikës ishte tepër e vështirë dhe koha e vendosur në dispozicion për realizimin e saj sipas tyre, ishte e pamjaftueshme. Protestuesit fillimisht u ndalën para Ministrisë së Arsimit, për t’u zhvendosur më pas tek Zyra e Qendrës së Shërbimit Arsimor.

Maturantët kërkojnë rishikimin e testit, duke paralajmëruar bojkotimin e provimit të radhës.

“Nuk kanë ditur ta përkthenin provimin. Kemi mbështetje nga gjithë mësuesit të cilët janë shprehur se pyetjet nuk janë ndërtuar saktë. Nuk jemi budallenj të gjithë. E ardhmja jonë është në duar e këtyre kopjacëve”, thotë një maturante.

Maturantët që ndodhen në protestë, kërkojnë që deri ditën e nesërme Ministria e Arsimit të vendosë për të ulur tavanin e pikëve, si dhe kërkojnë nga korrigjuesit e tezave që të tregohen tolerantë, e të marrin parasysh faktin që mësimin e kanë kryer në kushte të pazakonta, për shkak të pandemisë COVID-19.

Të Fundit