Marrëveshje me Italinë për rrjetin energjetik, Belinda Balluku: Qytetet ku do të ndërhyjmë

Sot do të nënshkruhet marrëveshja mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane për përmirësimin e rrjetit energjetik.

Marrëveshja nënshkruhet nga Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe Zëvendësministri i Jashtëm italian, Edmondo Cirielli.

Gjatë fjalës së saj, ministrja theksoi kjo marrëveshje parashikon përmirësimin e rrjetit shpërndarës të energjisë elektrike në zonat Shkodër, Lezhë dhe Fushë-Krujë.

Balluku tha se qeveria do të marrë 35 milionë euro hua për të zhvilluar këtë projekt, në fokus do të ketë përmirësimin e nënstacioneve ekzistues.

Deklarata e plotë e ministres:

Marrëveshja që po nënshkruajmë sot është një kontribut i vyer i Qeverisë Italiane, një nga partnerët, por nuk është rasti për të thënë thjesht partnerët, por nga miqtë më të afërt dhe më të vjetër të Republikës së Shqipërisë.

Kështu që kjo marrëveshje sot na bën dy herë të gëzuar edhe për shkak të marrëdhënieve shumë të ngrohta që populli shqiptar dhe populli italian ka, por edhe për shkak se kjo marrëveshje kontribuon në investime në sektorin energjetik, një nga sektorët më të rëndësishëm dhe më kritik në Republikën e Shqipërisë, sidomos edhe nën dritën e situatës që kemi kaluar jo vetëm ne, por mbarë Europa dhe bota gjatë vitit 2022, për shkak të krizës energjetike.

Kjo mbështetje që do të firmosim sot, përmes një marrëveshje, vjen në kuadrin e Konferencës së Donatorëve, “Bashkë për Shqipërinë”, një konferencë e cila bëri bashkë të gjithë miqtë, partnerët ndërkombëtarë për të mbështetur Shqipërinë për të gjitha dëmet e ndodhura nga tërmeti i nëntorit 2019-ës. Vetëm para pak ditësh kam qenë në Bruksel për të marrë pjesë në një konferencë të ngjashme në këtë rast, “Bashkë për Turqinë dhe Sirinë” dhe për të thënë të drejtën sigurisht edhe ne si vend kemi kontribuar në mënyrën tonë modeste, por Shqipëria ishte një vend që ndihej i detyruar dy herë, jo vetëm sepse populli turk është një tjetër popull mik, por nga ana tjetër na është kujtuar momenti i vështirë i shkurtit 2020, kur të gjithë partnerët tanë dhe partnerët italianë sigurisht, miqtë tanë italianë dhe të gjithë miqtë e tjerë ndërkombëtarë, na janë gjendur pranë, duke na dhënë një dorë për të dalë nga situata e vështirë që ishte krijuar nga tërmeti i 2019-ës.

Për të thënë të drejtën nuk është gjithmonë e rëndësishme shuma financiare me të cilën ti mbështetesh, por është i rëndësishëm kontributi shpirtëror, kontributi social që miqtë tanë ndërkombëtarë na kanë dhënë në ato momente.

Me anë të kësaj marrëveshje shteti shqiptar do të marrë një hua prej 35 milionë euro dhe përmes kësaj huaje ne do të zhvillojmë një projekt, i cili konsiston në përmirësimin e sistemit të shpërndarjes, konkretisht në zonën e Shkodrës, Lezhës dhe Fushë-Krujës, me fokus kryesor përmirësimin e nënstacioneve ekzistuese, sistemin Scada dhe rrjetin e tensionit të mesëm, duke i ofruar kështu mundësi agjencive shtetërore, ndërmarrjeve shtetërore, por edhe atyre private që të ofrojnë një shërbim cilësor në furnizimin e energjisë elektrike.

Duhet të theksoj se përmirësimi dhe modernizimi i sistemit energjetik shqiptar ka qenë objektiv strategjik dhe parësor i Qeverisë Shqiptare, duke nisur nga viti 2013. Vëmendje të veçantë i është kushtuar sistemit të shpërndarjes, i cili është ai që ndikon direkt në jetën e qytetarëve. Padyshim prodhimi dhe transmetimi janë dy kolona shumë të rëndësishme dhe kryesore të sistemit energjetik, por ama përdoruesi, familjari, abonenti apo edhe bizneset janë të lidhur direkt në rrjetin e shpërndarjes dhe është ajo çka ata kuptojnë konkretisht dhe janë të prekur.

Duhet thënë e vërteta. Në vitin 2013 fatkeqësisht ne trashëguam një rrjet totalisht të amortizuar me humbje teknike mbi 45% dhe mbledhje të ardhurash nën 70%. Nga ajo kohë, ne e përsërisim shpesh që situata ka ndryshuar katërcipërisht, nuk bëhet fjalë më për ndërprerje të energjisë elektrike edhe në ditë me mot të keq. Para vitit 2013 Shqipëria vuante errësirën për orë e orë të tëra pikërisht nga humbja gjatë transmetimit dhe gjatë shpërndarjes së energjisë elektrike rreth 45%, rreth gjysma e saj. Por me të gjitha investimet që janë bërë nga viti 2014 dhe deri në vitin 2022 përllogaritet rreth 470 milionë investime të cilat kanë ndryshuar totalisht tashmë sektorin energjetik shqiptar, sidomos atë të shpërndarjes.

Unë nuk po futem në detaje për të shpjeguar të gjitha ato nënstacione, të gjitha ato kabina të reja apo kilometra të tërë të kabullit ABC që është shtuar dhe është shtruar kudo nëpër Shqipëri, por po ndalem vetëm në faktin e dy viteve të fundit.

Dy vitet e fundit kanë qenë dy vite të vështira pasi ne jemi përballur, ashtu si e gjithë bota, me pandeminë, por edhe me krizën energjetike dhe pavarësisht kësaj situate ne jemi munduar që të investojmë sërish edhe në këto dy vite të vështira duke mbajtur premtimet që ne kemi bërë, duke ulur nivelin e humbjeve që në vitin 2020, para nisjes së pandemisë e kishim rreth 22%, por duke e ulur përmes investimeve edhe në kohë të vështira me rreth 50 milionë, sot e kemi 19.7%. Synimi ynë është patjetër që të arrijmë nivelet e humbjeve teknike europiane, për të cilat ne po punojmë dhe që kjo marrëveshje që do të nënshkruajmë sot do të kontribuojë fuqishëm.

Për ne parësore ka qenë, sigurisht të mbronim qytetarët. Të mbronim abonentët duke mos prekur çmimin e energjisë elektrike. Kështu që na është dashur të jemi më konservatorë përsa i përket investimeve dhe për ti ofruar mbrojtje totale qytetarëve tanë edhe kur na është dashur gjatë vitit 2022, që ishte një vit i thatë, që të dilnim dhe të blinim në importe, importe që jam e sigurt që dhe miqtë tanë italianë kanë pasur të njëjtën problematikë me çmime 10 herë më të larta nga sa ishim mësuar deri në vitin 2021 për megavatorë.

Megjithatë ne duam të shpresojmë, pavarësisht se energjia është një treg i pa parashikueshëm tashmë, duam të shpresojmë që viti 2023 do jetë një vit më i qëndrueshëm.

Një vit ku trendi është në rënie, i çmimeve, ka prej kohësh që është stabilizuar si çmim për megavatorë, por nga ana tjetër shpresojmë për shkak të kushteve atmosferike dhe situatës së favorshme që kemi në kaskadën e Drinit, viti 2023 të jetë një vit i qëndrueshëm ku ne të kemi mundësi që të rrisim kapacitetet financiare për investime në fushën energjetike.

Unë dua të falënderoj edhe një herë, të përfitoj nga rasti, për të shprehur vlerësimin për bashkëpunimin shumë të mirë që kemi pasur me Qeverinë Italiane për përballimin e krizave, që nuk ka të bëjë vetëm me energjinë, por edhe me të gjitha mbështetjet e tjera që ne kemi marrë duke nisur nga emergjencat civile apo edhe shkëmbimin e eksperiencave që kurrë nuk na është refuzuar nga ana e palës italiane, por bujarisht ata na kanë mbështetur me shkëmbimin e dijes, që për të thënë të drejtën ndonjëherë e vlerësojmë pak më ulët se sa i përket shkëmbimeve apo ndihmës financiare.

Transferimi i dijes, që krijon kapacitete njerëzore shpesh herë është shumë më i vlefshëm dhe pala italiane gjithmonë këtë e ka bërë me bujari dhe unë dua të gjej rastin sot që ta vlerësoj.

Ne jemi gjithmonë të mbështetur nga ekspertë italianë në fusha të ndryshime të pushtetit vendor edhe atij qendror dhe kjo është diçka që duhet vlerësuar dhe nuk duhet ta harrojmë kurrë pasi me të vërtetë marrëveshjet financiare janë të rëndësishme, por ngritja e kapaciteteve njerëzore prevalon shpeshherë, në kohë të vështira si këto, ku gjithë Europa pas pandemisë sot është në një lëvizje të fortë demografike përsa i përket profesionistëve dhe krahut të lirë të punës.

Dua ti kthehem dhe një herë marrëveshjes që po nënshkruajmë sot, që është pikërisht pjesë e këtij bashkëpunimi të shkëlqyer e vjen në momentin e duhur për ti dhënë një shtysë të re investimeve për përmirësimin dhe modernizimin e rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike sidomos në veri të vendit.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe OSHEE Grup do të jenë maksimalisht të angazhuara për të realizuar me sukses këtë projekt në funksion të qytetarëve tanë, si dhe të bizneseve të cilët janë kontribuues të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit.

Zotohemi për këtë pasi shpeshherë kemi dhe vonesa burokratike nga të gjitha palët pasi shtetet janë të ngritura mbi themelet e burokracisë, procedurat, letrat dhe gjithçka janë të rëndësishme, por ne do bëjmë të pamundur ambasador që të përshpejtojmë çdo procedurë pasi do të ishte në të mirë të qytetarëve tanë.

Të Fundit