Marrëveshja për emigrantët/ Balla: Italia ka akomoduar 80 mijë emigrantë, vetëm 4 % do vijnë në Shqipëri

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka folur në Komisionin e Politikës së Jashtme përsa i përket marrëveshjes Shqipëri-Itali për pritjen e emigrantëve.

Gjatë fjalës së tij, Balla është shprehur se Shqipëria arrin të mbulojë vetëm 4% të sfidës që ka Italia në procesin e pritjes së shqyrtimit të kërkesës për azil nga ana e emigrantëve.

Balla ka shtuar se këtë marrëveshje, Shqipëria mund ta bënte vetëm me Italinë për shkak të një borxhi historik, por edhe për shkak të marrëdhënieve mes 2 vendeve.

Taulant Balla: Dua të informoj Komisionin e Politikës së Jashtme që në aspektin që mbulon komisioni juaj, kjo është një marrëveshje tepër e rëndësishme që forcon më tej bashkëpunimin e shkëlqyer mes Italisë dhe Shqipërisë. Shqipëria dëshmon se është e gatshme të marrë përgjegjësitë, duke ju rikujtuar që kjo nuk e nxjerr përfundimisht problematikën që ka Italia sot me këtë sfidë.
Mund të ju them se në qendrat e pritjes në Itali aktualisht janë të akomoduar mbi 80 mijë qytetarë që vijnë nga vendet tjera. Fakti që vetëm 3 mijë mund të trajtohen, procesi i pritjes së shqyrtimit të kërkesës për azil do të bëhet në Shqipëri, tregon se diku 4 për qind e kësaj sfide aktuale do të trajtohet nga Shqipëria. Këtu merr përgjigja gjithë tumnaja e ngritur më kot ndaj kësaj marrëveshje.

Ju bëj thirrje anëtarëve të komisionit, që në këtë frymë dhe në këtë marrëveshje speciale mes Shqipërisë dhe Italisë të mos harrojnë asnjëherë momentet e vështira kur shqiptarët zbritën me mijëra në brigjet e Barit dhe Brindisit. Një marrëveshje të tillë, Shqipëria mund të firmoste vetëm me Italinë për shkak të një borxhi, por edhe për marrëdhëniet që kemi mes 2 vendeve tona.

Të Fundit