Manastirliu: Nga e hëna do të verifikohen arsimtarët që janë vaksinuar

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ju ka bërë apel të gjithë arsimtarëve që ende nuk janë vaksinuar, studentëve e pedagogëve, të paraqiten në qendrën më të afërt të vaksinimit për të kryer vaksinën ndaj COVID-19.

Manastirliu nga qendra shëndetësore nr.4 në Tiranë bëri me dije se ditën e hënë hyn në fuqi urdhri për paraqitjen e çertifikatës së vaksinimit nga personeli arsimor në të gjitha shkollat e vendit.

“Duke filluar edhe nga dita e hënë, ne do të lëshojmë udhëzimin që do të ndiqet për të verifikuar ata që kanë kryer vaksinimin, duke filluar nga arsimtarët. Urdhri përmban të gjithë vendimet që ka marrë Komiteti Teknik i Ekspertëve, i cili përcakton që vetë institucionet shkollore, do duhet që të kontrollojnë nërpërmjet mekanizmave që do të ngrenë, të gjithë çertifikatat e vaksinimit për personelin që do të jetë në shkolla dhe gjithashtu duke filluar nga data 11 tetor edhe për studentët”, nënvizoi Manastirliu.

Nga ana tjetër bëhet me dije se alternativa e mungesës së çertifikatës së vaksinimit do të jetë testi i përjavshëm ose mësimi alternativ për studentët e pavaksinuar.

“Për arsimatarë të cilët ende nuk e kanë kryer vaksinimin, do të duhet të paraqesin pranë institucioneve shkollore testin dhe të konfirmojnë që nuk janë të prekur nga COVID19 dhe kjo kërkesë do të jetë kërkesë e përjavshme. Nga ana tjetër, vetë universitetet do të organizojnë mësimin e alternuar për ata studentë të cilët nuk do të kenë kryer ende vaksinimin”, tha Manastirliu.

Të Fundit