Në bulevardin kryesor të Tiranës disa ditë më parë ndodhi një aksident i rëndë, ku një makinë ka përplasur tre fëmijë të mitur që po lëviznin me monopatinë.
Sipas informacioneve paraprake, fëmijët kanë hyrë në rrugë me semafor të kuq, ndërsa automjeti ka kaluar në momentin e fundit të dritës jeshile ose me të verdhë.
Eksperti i sigurisë rrugore, Arben Luzi, theksoi se monopatinat nuk duhet të lëvizin me më shumë se 25 km/orë dhe kërkoi vendosjen e një rregulloreje specifike për përdorimin e tyre. Ai nënvizoi nevojën për edukimin e drejtuesve të monopatinave, mbajtjen e kaskës, sigurimin e mjetit dhe detyrimin për të ndjekur një kurs të ngjashëm me ato të Kryqit të Kuq për njohjen e rregullave të qarkullimit.
“Ishin tre fëmijë të mitur që u aksidentuan, nën 18 vjeç pra ishin. Janë të mitur dhe nuk merren në përgjegjësi penale. E para është që të kenë shërim të shpejtë, marrim pjesë dhe ne në dhimbjen e tyre, patjetër. Tre fëmijë po qarkullonin në monopatinë dhe një makinë ka hyrë dhe ka hyrë në fundin e dritës së fundit të semaforit ose ka hyrë me dritë të verdhë. Fëmijët kanë hyrë me dritën e semaforit të kuq. Këto janë informacione paraprake. Janë fëmijë që nuk njohin asnjë rregull rrugor. Në rrugë dalin edhe biçikletat, edhe monopatinat. Monopatinat lëvizin me motor dhe shpejtësia maksimale e tyre nuk duhet të kalojë 25 km/orë. Një monopatinë e fuqishme njëherë lëvizi 100 km/orë. Njeriu që do të lëvizë me monopatinë, duhet të ketë dijeni për lëvizjen në rrugë. Duhet të lëvizin në kolonë. Drejtuesit e këtyre mjeteve duhet të edukohen. Duhet të edukohet drejtuesi i monopatinës sesi të lëvizë. Monopatina merr një person, jo shumë persona. Prindi, derisa i blen fëmijës monopatinë, t’i kërkojë fëmijës disa rregulla sesi të ngasë këtë mjet. Në Tiranë ka përdorim masiv të monopatinave. Parlamenti të vendosë ligj, që kush drejton monopatinë me mbi 25 km/orë të marrë gjoba. Këtu ka vakum ligjor. Drejtuesit e monopatinave duhet të bëjnë një kurs për njohje të rregullave të qarkullimit rrugor, si Kryqi i Kuq. Duhet të lëvizë me kaskë në kokë, duhet të ketë prim sigurimi, sepse mund të dëmtojë dikë. Kjo duhet të bëhet, sepse është mjet me motor. Monopatinat nuk mund të ecin në rrugë ku thotë se ecet me 50 km/orë.”, tha ai.