“Kam qenë duke lëvizur me makinë në Ishull-Lezhë dhe e mitura më ka dalë para në rrugë e më ka kërkuar ta çoj tek një banesë në qytetin e Lezhës”.
Kështu është shprehur para hetuesve, efektivi i policisë së Lezhës Kol Kola, 62 vjeçari i cili u arrestua të marten për veprën penale “Ngacmim seksual”.
62-vjeçari mësohet të ketë thënë se e gjitha ngjarja është e inskenuar, duke mohuar ta ketë ngacmuar seksualisht vajzen e mitur.
Burimet thanë se ndalimi i 62-vjeçarit u krye pasi dyshohet se në datë 29 prill 2021 ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me një të mitur të moshës 13-vjeçare, nxënëse në një nga shkollat 9-vjeçare të qytetit të Lezhës.
HETIMI
Nga hetimi i deritanishëm ka rezultuar se punonjësi i Policisë Kol Kola ka shfrytëzuar rastin që e mitura ka qenë e pashoqëruar nga persona madhorë, e duke keqpërdorur atributet që i jep detyra funksionale, nëpërmjet mashtrimit se do ta shoqëronte në Komisariatin e Policisë, e ka marrë të miturën në një banesë në qytetin e Lezhës, që e kishte në përdorim.
Aty dyshohet se ka kryer vepra të turpshme, duke tentuar gjithashtu të kryejë marrëdhënie seksuale. Këto veprime janë kundërshtuar nga e mitura, e cila u largua me forcë nga banesa dhe menjëherë ka bërë kallëzim, duke rrëfyer atë çfarë i kishte ndodhur.
Nisur nga kallëzimi i së miturës dhe nga verifikimet paraprake të Policisë Gjyqësore, që dokumentoi me prova shkencore rastin, si edhe duke siguruar pamje filmike, është arritur në konkluzionin se efektivi i Policisë Kol Kola ka konsumuar elemente të veprës penale “Ngacmim seksual”.
Në lidhje me rastin po vazhdojnë hetimet nga Prokuroria e Lezhës për dokumentimin e plotë të asaj çfarë ka ndodhur. Kol Kola është pjesë e strukturave të Policisë së Shtetit prej shumë vitesh, duke shërbyer në disa zona të qarkut të Lezhës.
SHÇBA
Në njoftimin zyrtar, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat tha se ka ekzekutuar urdhrin e ndalimit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, në ngarkim të një punonjësi policie, me detyrë ndihmës-specialist i policimit në komunitet pranë Komisariatit të Policisë Lezhë, për veprën penale “Ngacmim seksual”.
“Ndalimi i 62-vjeçarit u krye pasi dyshohet se në datë 29 prill 2021 ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me një të mitur.
Nisur nga kallëzimi i së miturës dhe nga verifikimet paraprake të Policisë Gjyqësore, që dokumentoi me prova shkencore rastin, si edhe duke siguruar pamje filmike, është arritur në konkluzionin se shtetasi K. K. ka konsumuar elemente të veprës penale ‘Ngacmim seksual’.
Hetimet vazhdojnë deri në zbardhjen e plotë të këtij rasti. SHÇBA fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të shkeljes së ligjit, duke telefonuar në numrin falas 0800 90 90 dhe duke garantuar reagim të shpejtë dhe të ashpër ligjor”, thuhet zyrtarisht nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat.