Lushnje, avokatja mashtruese që humbi gjyqin, i kthen paratë qytetares 8 qershor 2018

Më datë 22 Maj, emisioni “Stop” transmetoi rastin e Urani Dhimës, e cila tregoi sesi u mashtrua nga avokatja Alma Bala, që e pajtoi për një problem pronësie.

Urania pajtoi avokaten Bala për të ndjekur procesin gjyqësor të një prone, por kjo e fundit e humbi gjyqin edhe në Gjykatën e Shkallës së Parë, edhe në atë të Apelit. Avokatja i kërkoi 83.500 lekë me pretendimin se gjyqi është fituar dhe letrat ndodheshin në Hipotekë për të përfituar certifikatën e pronësisë.

Emisioni ”Stop” u rikthye në Lushnje për t’i kërkuar avokates mashtruese t’i kthejë paratë qytetares.

“Meqënëse Urania nuk do që unë të merrem më me këto punë, deri nesër do t’ia kthej. Mos ki merak! Jemi në këto kushte, kështu që ju mirëpres nesër!”, u shpreh Alma Bala.

Avokatja premtoi t’ia kthejë ditën e nesërme, por për surprizën e Uranisë, ia çoi në shtëpi brenda ditës.

“I solli lekët avokatja. Hajde shikoji po s’besove! Po të mos kishit qenë ju, unë këto lekë nuk do t’i merrja dhe puna ime s’dihet se kur do të mbaronte”, u shpreh e lehtësuar Urania.

Çfarë transmetoi emisioni “Stop” në datën 22 Maj lidhur me mashtrimin e avokates Alma Bala:

“U interesova, mora një avokate, Alma Balën. Ajo mori përsipër të bënte gjyqin. Vazhdoi gjyqi në Lushnje, mbaroi dhe e hodhën në Vlorë. Atje ka mbaruar në muajin Janar 2017. Avokatja mua më thoshte që nuk ka mbaruar. Më thotë në muajin Maj që gjyqi mbaroi, ka ardhur vendimi dhe tani do regjistrohen te Hipoteka. Më thotë që duhen 835 mijë Lekë (të vjetra) për këto letra, 500 mijë Lekë për regjistrim ndërtese, 300 mijë Lekë për tokën dhe 5 mijë Lekë për atë që do bënte letrat. Ia jap lekët se e besova, kur një ditë ajo ma mbyll derën dhe nuk më pret më”, rrëfeu denoncuesja.

Ndaj dhe Urani Dhima vendosi të shkonte të interesohej vetë për ecurinë e çështjes gjyqësore, por u përball me një të vërtetë të hidhur.

Më datë 09.12.2015, Gjykata e Shkallës së Parë dhe Gjykata e Apelit më datë 25.01.2017, kishin vendosur rrëzimin e padisë, por avokatja e kishte gënjyer dhe i kishte marrë para për t’i regjistruar pronën në Hipotekë, një veprim që nuk mund të kryhej, pasi binte në kundërshtim me vendimin e gjykatave.

“Këtë dua të di unë! Pse më ka gënjyer për një vit të tërë?!”, u shpreh e shqetësuar denoncuesja.

Urani Dhima u përball me avokaten dhe nëpërmjet kamerës së fshehtë të emisionit “Stop” provoi që kjo e fundit vijonte ta gënjente.

Qytetarja – Çfarë do bëjmë, në dreqin do vejë?!

Avokatja Alma Bala – Po ik tani! Mbarova unë ato që kisha për të bërë, të miat, se tani hallet nuk mbarojnë, po të paktën…

Qytetarja – Mbarojnë, po kur?

Avokatja Alma Bala – Mbarojnë, domethënë këtu jam unë. Do të marr unë nesër në telefon. Këtu jam unë, nuk lëviz më!

Qytetarja – O, Alma! Unë nuk kam më durim!

Avokatja Alma Bala – Ik tani! Nesër do të marr vetë në telefon.

Qytetarja – Mos më thuaj ik!

Avokatja Alma Bala – Po ik tani! Unë kam respekt për ty, që të them ik!

Qytetarja – Dale, të llafosemi 5 minuta!

Avokatja Alma Bala – Po, po!

Qytetarja – Ose 2 minuta, sa të llafosemi! Më the për vendimin e gjyqit, që e kam marrë.

Avokatja Alma Bala – Tani, të gjitha këto i ke të bëra, i kam unë dosjet në shtëpi, ti më ke gjetur dy herë duke qenë në zyrë. Do të marr vetë në telefon edhe kaq! E kam vetë dosjen në shpi.

Qytetarja – Puna e gjyqit, qysh ishte?

Avokatja Alma Bala – Është e mbaruar, po ik, se kam dosjen në shpi tashi!

Qytetarja – Unë kam marrë vetë vendimin e gjyqit. Vendimi i gjyqit ka mbaruar. Nuk kam fituar. Pse më gënjen?

Avokatja Alma Bala – O, ti, do ikësh tani?!

Qytetarja – Po pse më gënjeve, se ke marrë gjithë ato lekë? O Almaa…

Avokatja Alma Bala – O Urani, do ikësh tani?!

Qytetarja – Pse m’i ke marrë lekët?

Avokatja Alma Bala – O Urani! Nuk të merrem, ik tani do marrësh ato të hipotekës, që të duhet dhe rri e qetë!

Qytetarja – Po kur do t’i marr unë ato?

Avokatja Alma Bala – Ja, do të thërras unë nesër!

Qytetarja – Kur do më thërrasësh?

Avokatja Alma Bala – Nesër, do të thërras unë të thashë! Nesër! Unë tani sa erdha. Nesër do të thërras unë edhe do ta shikosh Hipotekën, e ke marrë apo s’e ke marrë, se s’të merr njeri… Lërë moj ti se unë ça ta kam bërë ti tani… Kam vajt unë para teje, rri e qetë se do të marrë unë të thashë, do të marr unë më vonë thash. Do të marrë unë thash ça ke e kam marrë unë përsipër këtë, do ta çoj unë deri në fund.

Duke u bazuar në fjalët e avokates Alma Bala, gazetarja e emisionit “Stop” iu drejtua Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Lushnje për të pyetur nëse ka nisur procedura për certifikatën e pronësisë. Juristja e këtij institucioni, Elfrida Bilbili deklaroi se nuk ka asnjë aplikim në emër të zonjës Dhima, apo përfaqësueses së saj ligjore.

Por avokatja Alma Bala, e pyetur nga gazetarja, u shpreh se e kanë humbur procesin gjyqësor, ndaj dhe nuk ka paraqitur dokumentet në ZVRPP. Ajo gjithashtu mohoi të ketë marrë para nga denoncuesja, pasi këmbënguli në faktin që gjyqet i kanë humbur.

Të Fundit