“Luftoi si luan, por nuk ia doli”, ndahet nga jeta pas një aksidenti në Itali 16-vjeçari shqiptar

Një aksident tragjik i ka marrë jetën një 16-vjeçari shqiptar në Itali. Gabriel Alibeaj kishte dalë me shokët mbrëmjen e së martës më 6 shtator, por synimi për të kaluar një mbrëmje të këndshme përfundoi me një tragjedi.

Sipas mediave italiane, Gabrieli ishte bashkë me dy shokë në Villafranca di Verona dhe tragjedia ndodhi momentin kur ata po ktheheshin në shtëpi.

Teksa po ktheheshin me një triçikël, Gabrieli dhe shoku i tij ranë nga mjeti dhe i riu shqiptar përplasi fortë kokën në tokë. Ata u dërguan menjëherë në spital me helikopter ku u shtruan në gjendje të rëndë.

Gabrieli aspironte të bëhej futbollist, ai e donte këtë sport dhe e praktikonte që në fëmijëri, pasdite e ndante kohën mes stërvitjeve dhe ndeshjeve me miqtë.

Rreth një muaj më parë klubi Lunigiana Pontremolese 1919 shkroi fjalë entuziaste për të ardhmen e sportistit, duke e konsideruar “ndër protagonistët absolutë të sezonit që sapo ka përfunduar”.

Njoftimin për ndarjen nga jeta e bëri i ati i Gabrielit, ku falenderon të gjithë ata që u lutën për të.

“Ju falenderoj të gjithëve për lutjet tuaja, tani lutemi për shpirtin e tij. Gabriel nuk ia doli. Luftoi si luan, i mbështetur nga familja dhe lutjet e miqve, por nuk u zgjua. Në dhimbjen më të thellë la të atin, Altinin, nënën Imeldën dhe motrën e vogël Chiara, të cilat e donin shumë”, shkruajti ai i pikëlluar.

Të Fundit