Bashkëshortja e kryeministrit Edi Rama ishte këtë të martë prezente në ceremoninë mortore të Haxhi Thaçit babait të ish-presidentit të Kosovës. Teksa shprehu ngushëllimet zonja Rama tha se nuk mund të ndihej më shumë se kaq mungesa e ish-presidentit Thaçi, i cili nuk u lejua nga Gjykata Speciale e Hagës të merrte pjesë në varrimin e të atit.
Ajo tha se edhe në këtë ndarje të dhimshme Hashim Thaçit ju desh të ishte larg në luftë duke iu referuar procesit gjyqësor që po mbahet ndaj tij si i dyshuar për krime lufte në kohën kur ishe komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Erdha këtu për ti dhënë lamtumirën bacës Haxhi me respektin e thellë për të këtë familje të njësuar me historinë e Kosovës, falë njërit prej djemve të tij, Hashimit, të vëllazëruar me familjen time përmes Hashimit. Kjo është një ditë e trishtuar dhe në këtë ditë të trishtuar jam këtu jo në këmbë të Edit, por në radhë të parë se e di mirë çfarë do të thotë të jesh prind i një politikani e posaçërisht nëna e një politikani. Në këtë ditë të trishtuar jam këtu me të gjithë familjen tuaj të cilës sot i mungojnë dy burra. E di dhe më mirë se çdo të thotë të jetë bashkëshortja e një politikani e aq më tepër e një udhëheqësi aty ku fryjnë erërat më të forta, e jetoj çdo ditë këtë.
Ajo që unë nuk e di është se çdo të thotë të kesh fëmijën me pushkë në dorë duke luftuar nëpër male. duhet të jetë një ankth pa mbarim. Ndaj nuk më mbajti vendi në Tiranë, duhet të isha këtu sonë, pranë nënës dhe gruas së Hashimit. Nënës dhe bashkëshortes së komandantit i cili edhe në këtë ditë të dhimbshme duhet të vijojë të jetë larg në luftë. Nuk besoj se një mungesë mund të jetë kaq herë më e madhe se sa prania në një ditë si kjo. Ndaj ajo rrezaton shumë përtej këtyre mureve si një kambanë kujtese për dhimbjen e dhjetra mijërave grave dhe prindërve të kësaj toke, por edhe për sakrificat e krejt popullit të Kosovës për të paguar çmimin e lartë të lirisë. Të qoftë i lehtë dheu baca Hazhi”,-tha Linda Rama.