Qeveria synon të miratojë një ligj të ri që do të rregullojë prodhimet e cilësuara si “bio”, duke nisur nga përcaktimi i kushteve që duhet të ndjekin ata që do të përfshihen në këtë aktivitet, te mënyra e kultivimit apo prodhimit e deri te faza e testit dhe eksporti.
Në një projektligj të publikuar për konsultim nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në emërtimin “”Për prodhimin biologjik, etiketimin e produkteve biologjike dhe kontrollin e tyre” nënvizohet se ligji aktual i vitit 2016 që është në fuqi do të shfuqizohet.
Referuar draftit, ai ndalet në një sërë elementësh nga autoriteti i ngarkuar me kontrollin që në këtë rast është Autoriteti Kombëtar i Ushqimit tek rregullat e prodhimit.
Lidhur me këto të fundit, drafti parashikon se në prodhimet biologjike lejohen vetëm një pjesë substancash të mirëpërcaktuara, ndërkohë që përdorimi i OMGJ-ve dhe rrezatimit jonizues në produktet organike është i ndaluar.
Në nene të veçanta, ligji parashikon edhe përjashtimet nga rregullat e prodhimit biologjik kur si pasojë e fatkeqësive natyrore ose fatkeqësive të tjera kanë ndodhur ngjarje katastrofike, që e bëjnë të pamundur përmbushjen e rregullave të prodhimit. Përjashtimet miratohen nga Komisioni për Prodhimin Biologjik (KPB) për një periudhë të kufizuar, derisa prodhimi biologjik të mund të rikthehet në kushte normale.
Produktet dhe substancat që përdoren në prodhimin biologjik janë përafruar me listën e Bashkimit Europian të përcaktuar në rreg. 1165/2021/KE.
Ligji parashikon gjithashtu etiketimin e produkteve ku vetëm për ato që plotësojnë kushtet do të mund të përdorin termat “biologjik” “organik”, “bio” ose “eko”.
Për prodhuesit do të ketë një fazë që ligji e cilëson si fazë kalimi ku do të prodhojnë si bio por nuk do të cilësohen si të tillë. Kjo shërben si një fazë prove ndërkohë edhe pse ato mund të përmbushin si produkte kriterin e “bio” nuk do të etiketohen dhe tregtohen si të tilla.