Policia e Tiranës ka shoqëruar babanë dhe xhaxhanë e 15-vjeçarit që mbeti i plagosur në zonën e Fushë Mëzezit gjatë mbrëmjes së të enjtes. Hetuesit dyshojnë për një konflikt të mundshëm brenda familjes që ka eskaluar në përdorim arme, megjithatë ngjarja ende nuk është sqaruar plotësisht.
Mësohet se dëshmia e të miturit është kontradiktore me provat e gjetura në vendin e ngjarjes. Sipas 15-vjeçarit, ai ka pohuar se një makinë e zezë ka qëlluar 4 herë në drejtim të derës kryesore të oborrit të shtëpisë dhe më pas është larguar.
Ndërkohë, hetuesit kanë konstatuar 5 vrima plumbash në derë, të cilat kanë ardhur nga brenda oborrit, duke përjashtuar mundësinë e shtënave nga jashtë. Dyshimet aktuale të hetuesve janë për një konflikt mes dy vëllezërve që ka përfunduar me përdorim arme.
Edhe dëshmia e babait të 15-vjeçarit është kontradiktore, pasi ai ka deklaruar se kishte dëgjuar të shtëna dhe ka parë djalin që erdhi i plagosur. Pasi marrë 3 plumba, një në shpatullë dhe dy në krah, fatmirësisht, 15-vjeçari nuk ka rrezik për jetën.