Prodhimi dhe kultivimi i narkotikëve vijon të mbetet shqetësim për autoritetet shqiptare.
Viti 2020 solli një rritje të prodhimit dhe kultivimit të kanabisit në Shqipëri krahasuar me vitin 2019. Është ky konstatimi i Prokurorisë së Përgjithshme e cila në raportin e saj vjetor evidenton se në vitin që lamë pas në prokurori u referuan 17.8% procedime më shumë se në 2019. Rritje me 5.35% u vu re edhe në numrin e procedimeve që u dërguan në gjykatë për veprat penale “Prodhim dhe shitje narkotikësh” si dhe “Kultivim i bimëve narkotike”.
Bazuar në të dhënat statistikore kjo e fundit ka një tendencë në rritje në vitin 2020 pasi me këtë akuzë në gjykatë janë referuar 40.92% raste më shumë se në vitin 2019. Problematike situata paraqitet në qytetin e Krujës, që përbën dhe 24% të procedimeve të referuara në prokurori e ndjekur më pas nga Tirana me 20%.
Krahas rritjes së rasteve të referuara në të njëjtin trend në vitin që lamë pas duken edhe procedimet e pezulluara. Plot 693 ose 40.27% të procedimeve të regjistruara ose rreth 11% më shumë se viti 2019.
Nisur nga këto të tregues por edhe në kuadër të luftën kundër kultivimit të kanabisit uniformat blu kanë nisur monitorimin e territorit të vendit. Burime nga Policia e Shtetit bënë me dije se monitorimi ka nisur nga toka dhe ajri në sipërfaqe të hapura por edhe në ambiente të mbyllura ku ka indicie për ushtrim të kësaj veprimtarie të jashtëligjshme.
Në fokusin kryesor të uniformave blu janë qarqe si Durrësi, Tirana, Vlora, Fieri dhe Elbasani që edhe në vitin që lamë pas regjistruan trend në rritje sa i takon zhvillimit të këtij fenomeni shqetësues për autoritetet.