E kthyer në temën e ditës në këtë mes gusht, për ndërtimin e kullës në lulishten prapa Bibliotekës Kombetare ka reaguar dhe kryeministri. Në një sqarim tejet të gjatë që vetë e quan çarçaf, Rama e cilëson si një mullar balte të gjithë reagimin publik, politik e mediatik që ka ngjallur ky investim privat, projekt që është dizenjuar nga studio daneze Cebra, e shpallur fituese mes disa të tillave që morën pjesë në konkursin ndërkombëtar vitin e shkuar. Pasi jep detajet e projektit ku sqaron se është përfshirë dhe një nga kompanitë më të mëdha inxhinierike të botës, Arup, me eksperiencë 75-vjeçare, kryeministri të gjithë ata që e kundërshtojnë dhe hedhin akuza politike mbi investitorët i fut në një thes, edhe pse qëllimet e tyre përmes figurave të shumta letrare, i kategorizon si të ndryshme.
“…ca të pagjumë nga drejtësia e re që po u rrethon trojet e xanuna të jetës së tyre publike pa atdhe, din e iman; ca të vrerosur nga dështimet e njëpasnjëshme të revolucioneve të dhunshme, që i plakën kanal më kanal e portal më portal, po s’erdhën kurrë; ca me vulë, ca pa vulë e ca me vulëasvulë, mes të cilëve edhe ndonjë derdimen i sapozgjuar, me bluzën e jeshilosur nga djersa e gjumit të stërgjatë, ama me flokët pikë, njësoj si në çastin kur u zhduk nën jorgan në hyrje të verës së shkuar, plus ndonjë pinjoll i përcëlluar, si thëngjill ende i pazbuluar në nëntokat e xanuna, po edhe ndonjë tjetër akoma, pa lidhje fare me këta, që i’u turr projektit të kullës, si të ishte hartë e vjetër romake që të çon tek zbulimi i një thesari, krijuar këtë herë nga një konspiracion i madh financiar, me prapavijë konsensuale politike, i cili orkestrohet nga kush tjetër, përveçse nga unë dora vetë, që u hidhkërkam kocka kundërshtarëve nga frika se mos më kafshojnë me gojën e tyre të mosozotshme, ku thuajse s’ka mbetur asnjë dhëmb.
Padinë në SPAK nga ana e grupimit të Bashës, që akuzon se është pjesë e investimit familjen Berisha, Rama e shikon si pjesë të luftës së brendshme opozitare.
“U ngrit rrufe edhe padia e radhës për SPAK-un, e cila tanimë është bërë patatja dhe gjella e çdokujt që ka një gur për të hedhur, një dorë për të fshehur a një kunj për të nxjerrë, duke e detyruar organin më të fuqishëm të akuzës në vend, që për shkak të një legjislacioni të mbingarkuar mbi shpinën e tij, të merret edhe me letrën e fundit anonime, ndërkohë që i ka duart e zëna seriozisht me patate gjithnjë e më të nxehta të korrupsionit dhe krimit të organizuar”.
Shpjegon arsyet perse u ndje i detyruar të reagojë, që sipas tij, lidhet me rëndësinë për të transformimi i Shqipërisë, e pjesë të këtij transformimi është dhe ndërtimi i një kulle të tille ikonike.
“Halli im këtu është fatmirësisht më i rëndi dhe më i thjeshti! Si të nxjerrim maksimumin e fuqisë rrezatuese dhe tërheqëse për Tiranën, duke realizuar një tjetër kullë ikonike, të cilën nuk e financon e as e ndërton shteti, po e mundëson marrëveshja krejt private mes pronarëve, investitorëve, arkitektëve e inxhinierëve, po ku, ama, autoriteti përkatës shtetëror ka jo vetëm detyrën që t’i hapë rrugë zhvillimit legjitim të një prone private, konform vizionit të zhvillimit të kryeqytetit, po edhe të drejtën të kërkojë nga zhvilluesit cilësinë më të lartë të mundshme arkitektonike e inxhinierike. Po pse e mbaj unë këtë hall, për çfarë qëllimi tjetër përveç atij që sapo thashë?! …halli im nis e mbaron me realizimin sa më bukur të një vepre si kjo apo si çdonjëra nga kullat, ndërtesat, shkollat, spitalet, rrugët, bulevardet, muzetë e me radhë, që po e ndryshojnë këtë vend dita – ditës, po që nuk mjaftojnë e duhen bërë më shumë, më shumë, më shumë… E pamundur t’u shpjegosh atyre që kanë Zot paranë, që udhëhiqen në jetë nga urrejtja, lumturinë e krijimit, realizimit të një vepre që i shërben njerëzve, vendit, historisë së shkruar duke ndezur në çdo hap një dritë tjetër,! E pamundur të ndash me ta dhimbjet torturuese të lindjes së një vepre mbi tokën e rrëshqitshme të “Shqipërisë që nuk bëhet” dhe çlirimin jetëzgjatës të kundrimit të saj, kur vepra ka hyrë në jetën e përditshme si një hallkë e re e zinxhirit të ëndrrës që vazhdon drejt dritës!…”
E ndërsa merr shumë rreshta për të treguar se çfarë qeveria e tij ka bërë për të arritur tek bumi aktual turistik, që po përjeton këtë verë vendi, Rama e sheh si të pashmangshëm, si debatin, ashtu dhe akuzat politike e mediatike, për çdo punë të re që bëhet në qytet. Por ai e mbyll reagim e tij të gjatë duke thënë se as Tirana dhe as Shqipëria nuk kanë kohë për të humbur me politikën e baltosjes, ndaj për të këtë arsye e dëshiron me çdo kusht ndërtimin e kullës së re.