“Ku i çuat paratë e rindërtimit?”, Rama: Bota lekët s’na i jep ne, por…

Kryeministri Edi Rama, këtë të hënë është ndalur në Kavajë ku iu ka dorëzuar çelsat e 153 banesave banorëve të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019.

Gjatë fjalës së tij Rama u shpreh se apartamentet e rindërtuara janë një bllok banimi me standarde optimale.

“Janë në një bllok banimi me standarde optimale. Një bllok banimi me hapësira për fëmijët, të moshuarit, me parkingje nëntokësore dhe me mundësi që të gjithë të ndjehen pjesë e një komuniteti dhe pronarë legjitimë. Nga momenti kur hyni në shtëpi ju jeni pronarë të këtyre shtëpive. Banesat janë tuajat për ti dhënë me qira, apo për t’i shitur si të gjithë pronarët e ligjshëm. Ky program rindërtimi nuk është thjesht për ndërtimet, por një program që ka filluar punën që ditën e parë, edhe për të zgjidhur çështjet e pronësisë. Pa ndërtuar kampe me rulota apo çadra. Çadrat u vendosën vetëm në zonën e fshatit dhe aty ku shtëpitë ishin larg qendrave të banuara për t’u ardhur në ndihmë atyre që për shkak të tokës donin të rrinin aty. Ata familje që janë në çadër, janë sepse duan të rrinë tek toka apo gjëja e gjallë, por edhe ata marrin bonus qeraje çdo muaj. Po ashtu dua të them se këto nuk janë lekët e botës. Në gjithë programin e rindërtimit kontributin kryesor e ka qeveria shqiptare dhe në jemi krenarë për këtë. Partnerët tanë kontribuojnë për një pjesë të shkollave, BE, për lagjen në Laç, republika e Turqisë për lagjen e re në Spitallë gjithçka tjetër është kontribut i taksapaguesve shqiptarë. Ndërsa për ata që akuzojnë se ku i çuam paratë, u them se bota lekët nuk na i jep ne, por i bën vetë projektet dhe i përmbyll vetë ndërtimet. Qeveria bën vetëm monitorimin e procesit”, ka thënë Rama.

Të Fundit