Kthyen qendrën e masazheve në ‘fole’ prostitucioni, motër e vëlla menaxhonin ‘biznesin’

Një qendër masazhesh në Tiranë, përdorej për ushtrim të prostitucionit.

Në kuadër të operacionit “Ekstra” u shpall në kërkim administratori i qendrës, Kristos Halili dhe u vu në pranga motra e tij, shtetasja Kristiana Halili, e cila rekrutonte vajzat.

Njoftimi:

Evidentohet dhe goditet një rast tjetër i shfrytëzimit të qendrave të masazheve, për ushtrim të prostitucionit.

 

Vihen në pranga 2 shtetase, si dhe shpallet në kërkim administratori i kësaj qendre masazhesh.

 

Sekuestrohet një shumë parash, e dyshuar e përiftuar nga kjo veprimtari e kundërligjshme.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Tiranë, si rezultat i hetimeve të zhvilluara në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Extra”, arrestuan në flagrancë shtetaset:

– K. H., 28 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”;
– D. L., 20 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprën penale “Prostitucioni”.

Gjithashtu, në vijim të veprimeve për këtë rast, u shpall në kërkim shtetasi K. H., 23 vjeç, banues në Tiranë, administrator i një qendre masazhesh. Vijon puna për kapjen e tij.

Gjatë kontrollit të ushtruar në qendrën e masazheve, në Unazë të Re, që menaxhohej nga 23-vjeçari, u konstatua se shtetasja K. H. (motra e shtetasit K. H.), shfrytëzonte për prostitucion, një punonjëse në këtë qendër.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 60 500 lekë të rinj, të dyshuara të përftuara nga kjo veprimtari e kundërligjshme.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Të Fundit