Pas debatit një ditë më parë me kryeministrin Edi Rama nga asambleja e KiE, ka reaguar deputetja greke, Nina Kasimati.
Në një postim në ‘Facebook’, deputetja greke thekson se Rama e sulmoi verbalist, pasi Kasimati e pyeti si po ecën procesi i anëtarësimit në BE, në një kohë kur Shqipëria forcon marrëdhëniet me një shtet si Turqia.
Ajo thotë se për shkak të përgjigjes së Ramës krerët e të të gjitha grupeve politike, vendosën unanimisht për të mos marrë pjesë në darkën zyrtare të thirrur nga kryeministri shqiptar.
“Pak më parë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, më sulmoi fort verbalisht përpara seancës plenare të Këshillit të Evropës, pasi si përfaqësuese e përbashkët e Partisë të së Majtës Evropiane në Kuvend e pyeta zyrtarisht se si po ecte procesi i pranimit të Shqipërisë në BE, me gjithë marrëdhëniet gjithnjë e më të thelluara strategjike me Turqinë, duke pasur parasysh mbështetjen që vendi ballkanik merr nga vendet e rajonit që respektojnë acquis evropiane dhe të drejtën ndërkombëtare. Përgjigja fyese e zotit Rama “për zonjën” krahas një himni politik ndaj Turqisë, si dhe qëndrimi i tij provokues në përgjithësi, i paprecedentë në Strasburg, shkaktuan reagimin e krerëve të të gjitha grupeve politike, të cilët vendosën unanimisht në një shenjë mosmiratimi për të mos marrë pjesë në darkën zyrtare të thirrur nga kryeministri shqiptar këtu sonte”, thuhet në reagimin e saj.
Nina Kasimati (Greqi): Edhe pse në këtë mënyrë të patakt, jeni i vetëdijshëm se ne jemi tejet të vendosur që të ndihmojmë Shqipërinë dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor për të përmbushur procesin për anëtarësimin e Shqipërisë.
A mendoni se aderimi i Shqipërisë me vlerat evorpaine do ishte e papajtueshme me politikën e sinergjisë dhe aktorë si Turqia që minon të drejtat e njeriut dhe që ndikon në bashkëpunim.
Edi Rama: Zonjës nga Greqia tani është e kuptueshme pse jeni e shqetësuar për marrëdhënien tonë me Turqinë. Në politikën tonë të jashtme të dyja përcaktohen si partnerë strategjikë. Nuk e kuptova pyetjen tuaj në lidhje me Shqipërinë. Keni problemet tuaja. Shpresoj që t’i zgjidhni përmes dialogut dhe drejtësisë ndërkombëtare.
Kur bëhet fjalë për ne, nuk krahasojmë dhe nuk zgjedhim mes partnerëve tanë strategjikë e miqve. Fqinjët janë aty përgjithmonë, gjyshja ime që ishte e mençur më thoshte “fqinji i lumtur është shtëpi e lumtur” dhe e kundërta është e qartë. Ne nuk kemi frikë për asgjë të keqe që vjen nga Turqia, është e rëndësishme për sigurinë dhe stabilitetin e Evropës.
Pa Turqinë kriza e refugjatëve e 2015 do ishte kthyer në krizë apokaliptike për vendet për të fuqishme të Evropës ishte Turqia që qëndroi në portet e Evropës dhe bëri atë që bëri.
Dua të shtoj se kam nderin të njoh dhe privilegjin të konsideroj veten si mik të të dyve. Janë njerëzit më të mirë në vendin e duhur për ta zgjidhur këtë. As Greqia nuk do ikë dhe as Turqia.