Gjykata e Lartë ka vendosur të mos pranojë rekursin e deputetes Monika Kryemadhi, duke lënë në fuqi vendimin e Apelit të Posaçëm që konfirmon sekuestrimin e një prej vilave të familjes së saj në Tiranë.
Në dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata e Posaçme e Apelit vendosi të heqë sekuestron mbi njërën prej vilave të familjes Kryemadhi në zonën e “Kodrës së Diellit”, duke ia kthyer pronësinë nënës së saj, Fatime Kryemadhi.
Megjithatë, vila vijon të mbetet e sekuestruar, pas vendimit të Gjykatës së Lartë që refuzoi ankimin e bërë nga Kryemadhi.
Në shkallën e parë, SPAK kishte kërkuar sekuestrimin e të dyja pronave, por Gjykata e Apelit vendosi të lirojë një prej tyre nga masa parandaluese. Me vendimin e fundit, sekuestrimi i njërës prej vilave mbetet në fuqi, duke i dhënë të drejtë SPAK-ut në pjesën e mbetur të kërkesës së tij.