Kryebashkiaku i Kievit i kërkon Perëndimit batanije dhe gjeneratorë: Do të vdesim nga i ftohti

Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, i bën thirrje të dëshpëruar Perëndimit për ndihmë ndaj vendit të tij, i cili pritet të përballet me armikun më të vështirë, dimrin e ftohtë.

Ish-kampioni botës në boks u kërkon urgjentisht aleatëve të Ukrainës që të dërgojnë batanije dhe gjeneratorë për të mbajtur ngrohtë bashkatdhetarët e tij.

Ne po bëjmë gjithçka që mundemi për të shpëtuar jetën e njerëzve tanë dhe për t’i mbrojtur ata. Por ky dimër do të jetë një sfidë e madhe për ne.

Kështu tha kryebashkiaku 51-vjeçar i Kievit për britaniken Telegraph duke theksuar se rritja e sulmeve ruse ndaj termocentraleve do ta çojë Ukrainën në prag të një krize të re humanitare.

Deri më 10 tetor, pothuajse një e treta e termocentraleve të Ukrainës ishin shkatërruar nga sulmet me dronë dhe raketa ruse, sipas presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.

Në Kiev, banorët kanë marrë paralajmërime për një “kolaps të fortë” të rrjetit të furnizimit me energji elektrike në kryeqytetin ukrainas për shkak të bombardimeve ruse, ndërsa pyetja e të gjithëve është nëse sistemi do të përballojë muajt e ardhshëm me të ftohtin e fortë që pritet në vend. Në ditët në vijim temperatura gjatë natës në disa rajone të Ukrainës parashikohet të bjerë deri në -20 gradë Celsius, ndërkohë që shumë banorë janë strehuar në ndërtesa pa gaz natyror, ku i vetmi mjet për ngrohjen e hapësirës është energjia elektrike.

Kryebashkiaku i Kievit deklaron se lufta e Vladimir Putinit nuk është më një luftë kundër forcave të armatosura ukrainase, por një luftë kundër qytetarëve të Ukrainës, ku përballë të ftohtit të dimrit, synon t’i shtyjë ata në nënshtrim.

Vitali Klitschko dhe bashkëpunëtorët e tij kanë arritur të blejnë gjeneratorë dhe deri më sot kanë organizuar 1000 pika në Kiev ku qytetarët mund të qëndrojnë për t’u ngrohur.

Por me afrimin e dimrit, kryebashkiaku shqetësohet se janë ditë të vështira për banorët.

Të Fundit