Kryebashkiaku Fierit- Bashës për djegien e plehrave: Njollë turpi për Lulëzimët

Situata e djegies së plehrave në Fier prej disa ditësh është bërë shqetësuese jo vetëm për banorët të cilët jetojnë aty por edhe për qytetarë të tjerë të cilët ndjekin nga larg çfarë është duke ndodhur në qytet.

Ndërkohë që po kjo situatë ka sjellë replika në distancë mes kryebashkiakut Armando Subashi dhe kryedemokratit Lulzim Basha.

Ky i fundit, me anë të një statusi në rrjete sociale e cilësoi si të papranueshme situatën aktuale në Fier, duke thënë se po “helmon shëndetin e fëmijëve”.

Nga krahu tjetër, Subashi i është kundërpërgjigjur kryedemokratit Basha duke thënë se anëtarët e këshillit bashkiak të PD, kanë votuar kundër për emergjencën mjedisore te fusha ekzistuese 70-vjeçare.

Ai thotë se për pak ditë situata do të marrë fund e ajo fushë do të jetë një kujtim i hidhur për të gjithë.

Postimi i Armando Subashit:

Lulzimi paska reaguar sot për plehrat në Fier!!

Po si ka mundësi?!

Ku e gjen të drejtën morale?!

Lulzimi dhe të “tijët” në Fier që votuan kundër në Këshill Bashkiak për emergjencën mjedisore te fusha ekzistuese 70 vjeçare, që votuan kundër dhe bënë të gjitha përpjekjet për të penguar investimin e qeverisë për impiantin e ri, që organizuan pafund protesta duke helmuar mendjet e njerëzve për ndërtimin e impiantit të ri, duke e shtyrë rreth 2 vjet në kohë përfundimin e tij, që vazhdojnë të shpifin pa fund për gjoja helmimin e ujërave, të ajrit, të tokës nga impianti i ri, sot dalin dhe bëjnë të pafajshmin, apo të paditurin?!

E kanë të kotë!

Edhe pak ditë dhe historia e plehrave për Fierin në atë fushë 70 vjeçare do të marrë fund njëherë e përgjithmonë.

Ajo fushë do të jetë një kujtim i hidhur për të gjithë, por në rradhë të parë do të jetë njolla e turpit për Lulëzimët që donin ta mbanin gjallë me çdo mjet e mënyrë.
Fund plehrave në qytet!

Të Fundit