Arben Kraja, kreu i SPAK së bashku me Altin Dumanin, zv. drejtor të Prokurorisë së Posaçme dhe Klodian Brahon, prokuror në Prokurorinë e Posaçme prezantuan në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, raportin e SPAK për vitin 2020.
Në këtë seancë dëgjimore, Kraja u shpreh optimist se 28 hetuesit e parë të Byrosë Kombëtare të Hetimit do të nisin punë në muajin gusht, teksa theksoi gjithashtu se shpresonte që të plotësoheshin sa më shpejt me 20 prokurorë.
Bashkëpunimi me Policinë e Shtetit ka qenë i shkëlqyer, pohoi kreu i SPAK ndërkohë që përmendi dhe bashkëpunimin e ngushtë me shërbimet informative apo agjenci të tjera si Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Kreu i SPAK bëri me dije se së shpejti do të jetë në funksion edhe një laborator për eksperimentimet digjitale.
Gjatë raportimit u tha gjithashtu se aktualisht po vijohej puna për të pasur akses në sistemet e të dhënave në Republikën e Shqipërisë.