Një përleshje me grushte ka ndodhur mesditën e sotme në Vlorë, në një qendër interneti pranë Gjykatës së Shkallës së Parë.
Për pasojë ka mbetur i vdekur ndërtuesi Armando Memishani 55 vjeç.
I ndjeri u përlesh fizikisht me tjetër person, i cili është identifikuar dhe po punohet për kapjen e tij.
Dyshohet se shkak i konfliktit është bërë një konflikt pronësie.
Ngjarja është filmuar nga kamerat e sigurisë çka ka bërë që të identifikohet brenda një kohe të shpejtë autori.
Në njoftimin e Policisë thuhet:
“Rreth orës 11:45, në lagjen “Hajro Çakërri”, në një qendër interneti, 2 shtetas janë konfliktuar me njëri-tjetrin dhe gjatë konfliktit shtetasi A. M., rreth 55 vjeç, për shkak të dhunës fizike (goditjeve me grushte), ka humbur jetën. Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje. Nga veprimet e shpejta është bërë identifikimi i autorit dhe vijon puna për kapjen e tij. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të këtij rasti”.